Mustafaj, kandidat i suksesshëm i Topit?
Eduard Zaloshnja
Të thuash se Besnik Mustafaj është thjesht një kandidat i Bamir Topit në betejën në distancë midis këtij të fundit dhe Sali Berishës (siç ka zëra që thonë), është një padrejtësi që i bëhet emrit të tij. Karriera politike e Mustafajt, edhe pse në 18 vjetët e fundit është ... ndihmuar shumë nga të qenit aleat besnik i një lideri të fuqishëm (për ironi të fatit, i Berishës), është karriera e një politikani dinjitoz, i cili ka ditur të jetë vetvetja, dhe jo thjesht një lejtnant i bindur i gjeneralit. Për shembull, ai demonstroi pavarësi dhe staturë kur pranoi humbjen përballë Edi Ramës në Tiranë, edhe pse Berisha vazhdoi për shumë muaj ta kontestojë me forcë rezultatin që e bëri Ramën kryebashkiak për herë të parë. Të njëjtën gjë nuk e bëri tre vjet më vonë Spartak Ngjela...
Pasi është thënë sa më sipër për Mustafajn, nuk mund të mos lihet pa thënë, nga ana tjetër, se shpallja e kandidaturës së tij për kryetar të PD-së së Tiranës është sidoqoftë fryt i një aleance të heshtur midis tij dhe Bamir Topit. Në betejat e drejtpërdrejta midis Presidentit dhe Kryeministrit në lidhje me dekretet e gjykatësve të lartë dhe emërimet e ambasadorëve, Mustafaj ka qenë deputeti më me staturë që i ka dalë hapur në krah Presidentit. Kuptohet që kjo përkrahje e tij publike është regjistruar në mendjet e mbështetësve të Bamir Topit. Dhe kur mësojnë se Besnik Mustafaj do kandidojë për kreun e PD-së së Tiranës pa marrë bekimin e Berishës, kandidimin e tij ata e shohin edhe si një sfidë që Topi po i bën Berishës. Për të mos folur pastaj për bisedat apo sms-të që mund të shkëmbehen larg syve të publikut midis Topit dhe përkrahësve të tij në Tiranë...
Vetëkandidimi sfidues i Mustafajt është interesant për vetë faktin se është i pari që bëhet në PD-në e Tiranës, por ai bëhet akoma më interesant po të shihet nga këndvështrimi i betejës proksi midis Berishës dhe Topit. Sepse, sadoqë Mustafaj nuk do jetë një përfaqësues i thjeshtë i Topit në këtë betejë, si fitorja, ashtu dhe humbja e tij, do i faturohet në mënyrë të ndjeshme edhe Presidentit. Kjo, për aq kohë sa ky i fundit nuk do dalë hapur kundër kandidaturës së Mustafajt.
Në fakt, po të analizosh karrierën politike të Topit, aleanca e tij me Mustafajn duket jo fort natyrale. Topi është dalluar si politikan konsekuent i djathtë, i cili ka dalë kundër çdo politike që ka cenuar shtresën e ish-pronarëve dhe ish-të persekuturave nga regjimi komunist. Ndërsa Mustafaj është pozicionuar shumë më afër Berishës për sa i përket politikave të tilla. Kjo ndoshta edhe si rezultat i prejardhjes së tij komuniste. Më tej, përkrahësit e Topit në kryeqytet janë probabilisht tiranas autoktonë, ose që kanë të paktën dy breza që jetojnë në Tiranë. Ndërsa përkrahësit e Berishës (e për rrjedhojë, të Mustafajt deri dje) janë probabilisht të ardhur rishtas nga krahinat e thella veriore.
Sipas nenit 27 të statutit të PD-së, kandidatura e Mustafajt mund të bllokohet në Kryesinë e Partisë, e cila kontrollohet lehtësisht nga Berisha. Por mendja ta do se Berishës nuk i intereson shmangia nga beteja proksi me Topin. Duke gjykuar nga promovimet që ai i ka bërë figurave të reja prej themelimit të KOP-it në 2005, duket se kryedemokrati do bekojë për PD-në e kryeqytetit ndonjë politikan të ri, i cili, në zgjedhjet për jetë a vdekje të 2009-ës, do mund t’i shtojë pikë në elektoratin e lëkundur tiranas. Dhe mendja ta do se ai do promovojë një politikan të ri që ka pikërisht ato atribute që Mustafaj nuk i ka - më shumë se një brez tiranas, dhe me prejardhje familjare të djathtë. Me pak fjalë, Berisha mund të synojë që kandidati i promovuar nga ai të tërheqë pikërisht ata PD-ista që deri më sot kanë përkrahur Topin.
Dhe pastaj, sa vota mund t’i mbeten Mustafajt?