E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD do të ndajë funksionet partiake me ato qeveritare

Deklarata është bërë nga anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Fatos Beja, i cili informoi sot mbi diskutimet e fundit në forumet e larta të partisë, në prag të zhvillimit të Kongresit të radhës të PD-së, në 12 dhjetor.

"Mënyrat ekstreme nuk janë asnjëherë të mira, pasi nëse gjithë drejtuesit e partisë do të vendosen të gjithë në pushtet, atëherë në parti nuk do të mbetet askush dhe kjo do të sjellë humbjen e forcës së PD-së. Një parti në qeverisje ndjen gjithmonë nevojën e mbështetjes nga strukturat për çdo ligj që bën qeveria", tha z. Beja, duke shtuar se "vetëm në këtë mënyrë partia mund të konsultohet dhe të furnizohet gjithmonë me ide të reja".

Gjithashtu, sipas tij, "mbajtja e dy posteve të rëndësishme, në qeveri dhe në parti, është e kufizuar edhe për shkak të mungesës së kohës fizike për të ushtruar me përgjegjësi të dyja funksionet". "Këto janë terma që po diskutohen, por vërehet prirja që disa persona të jenë më të angazhuar te pushteti dhe disa të tjerë të marrin më shumë përgjegjësi te partia. Por asnjë gjë nuk është e prerë, ose në qeverisje, ose në pushtet", tha z. Beja. Kongresi i radhës i PD-së, që do të mblidhet në datën 12 dhjetor, do të ketë rreth 1 mijë delegatë, gjë që sipas tij, përbën dhe numrin më të madh të delegatëve që ka pasur ndonjëherë një kongres partiak.

"Gjysma e delegatëve do të vijnë si të përzgjedhur për shkak të numrit të anëtarësisë, dmth një seksion, i cili ka më shumë anëtarë, ka të drejtë për më shumë delegatë se sa një seksion më i vogël. Ndërsa, 500 delegatët e tjerë do të vijnë si rezultat i votave të marra. Aty ku partia ka marrë më tepër vota do të ketë më tepër delegatë", tha Beja.

Ai informoi se Partia Demokratike do të ndërmarrë ndryshimet e domosdoshme në statut për t'u përshtatur me Kodin e ri Elektoral dhe me kalimin në sistemin proporcional-rajonal."Baza e Kodit të ri Elektoral është ndarja administrative territoriale e Shqipërisë ndaj dhe struktura e partisë duhet të përshtatet me këtë. Kjo është e domosdoshme të shprehet në statutin e PD-së", tha z. Beja.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›