E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS dërgojnë emrat e kandidatëve në afatet e fundit

29/03/2011  I pari që u regjistrua në KQZ ishte kandidati i koalicionit të djathtë Lulzim Basha

Vetëm pak orë para skadimit të afatit dy partitë kryesore politike, PD e PS, kanë regjistruar emrat e kandidatëve në KZAZ dhe KQZ, duke preferuar kështu limitin e kohës që parashikon ligji. Jo vetëm Partia Socialiste, e cila ka arritur të mbyllë vetëm në orët e vona të pasdites procesin për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur për kandidatët, por edhe Partia Demokratike, e cila e ka mbyllur procesin që ditën e shtunë, nuk ka preferuar të paraqesë emrat e kandidatëve, duke pritur kështu hapat që do të bëjë kundërshtari. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes është regjistruar në KQZ edhe kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili mund të thuhet se është kandidati i parë i prezantuar zyrtarisht për zgjedhjet e 8 majit. Nga ana tjetër, burime pranë KQZ më herët u shprehën se KZAZ dhe KQZ do të jenë në pritje deri në orën 24:00 të datës 28 mars.

KQZ

Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar bordin e monitorimit të medieve për zgjedhjet e ardhshme lokale. Ky bord, si dhe herët e tjera, do të monitorojë minutazhin e medieve elektronike dhe hapësirat që i lihen në fushatë pozitës dhe opozitës. Ndërkohë që për ditën e sotme KQZ-ja ka njoftuar dhe për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me zëvendësimin e mandateve të pesë deputetëve që japin dorëheqjen dhe zëvendësimin e vendeve vakante, si dhe miratimin e listës së komisionarëve në KZAZ të dërguar nga PS-ja. Gjithsesi, anëtarët e PS-së në institucionin qendror të zgjedhjeve ende s’kanë vendosur të marrin pjesë në mbledhjet e tij, megjithëse procesi zgjedhor tashmë duket se ka hyrë në një fazë delikate, ndërkohë që vetë PS-ja ka pranuar të garojë në këto zgjedhje.

Miratohen komisionerët e PS dhe PBDNJ

Sot pritet që KQZ-ja të miratojë emrat e anëtarëve socialistë dhe PBDNJ-së në KZAZ-të në të gjithë vendin. Mungesa e emrave bëri që KQZ-ja t’i zëvendësonte vendet ku nuk mundësohej shumica me emra nga shoqëria civile dhe persona që plotësonin një sërë kriteresh. Nga ana e saj PS-ja e ka dorëzuar listën e komisionerëve më 6 mars. Në projektvendimin e KQZ-së thuhet se vendimi për plotësimin e KZAZ-ve do bëhet dhe për PBDNJ-në, e cila ka të drejtën e propozimit të një anëtari.

“Bazuar në nenin 21, pika 1 dhe 11, nenin 23 pika 1 germa a, nenin 29, pika 1, nenin 31 të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, vendimin e KQZ-së nr. 45, datë 09.12.2010 “Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të KZAZ-së për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011 si dhe vendimin nr.5, datë 19.01.2011 “Për shpalljen e rezultatit të shortit për caktimin e partisë që do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-së. Vendosi: Të emërojë si anëtarë të KZAZ-ve propozimet e paraqitura nga Partia Socialiste e Shqipërisë sipas lidhjes nr.1 bashkëlidhur. Të emërojë si anëtarë të KZAZ-ve propozimet e paraqitura nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut sipas lidhjes nr.2 bashkëlidhur. Të emërojë si sekretarë të KZAZ-ve propozimet e paraqitura nga Partia Socialiste e Shqipërisë sipas lidhjes nr.3 bashkëlidhur. Ky vendim hyn nё fuqi menjёherё”, - thuhet në projektvendimin e KQZ-së që pritet të miratohet ditën e sotme

Sot takimi Ruçi–Patozi

Partitë politike parlamentare pritet të mblidhen sot në tryezë për të diskutuar në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mbledhja e partive pritet të zhvillohet sot në orën 11:00 në ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe është iniciuar nga Partia Demokratike pas një letre të kryetarit të grupit parlamentar Astrit Patozi dërguar homologut të tij socialist Gramoz Ruçi. Në letër thuhet se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe kontributi i forcave politike në këtë drejtim janë rekomandime të partnerëve tanë ndërkombëtare dhe organizmave vëzhguese të zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Sarandë

Edmond Gjoka çel fushatën, takim me studentët

Pa humbur asnjë ditë pas zyrtarizimit të kandidaturës për mandatin e tretë në krye të bashkisë së Sarandës, kryetari aktual i kësaj bashkie, Edmond Gjoka, ka dhënë sinjalin e çeljes së fushatës zgjedhore. Kanë qenë pikërisht studentët e filialit universitar ata me të cilët Gjoka ka zgjedhur ta nisë fushatën zgjedhore në kërkim të mandatit të tretë për të qeverisur Sarandën. Gjoka u tha atyre se kjo vjen nga vlerësimi që ai ka për studentët dhe universitetin, si një personalitet i pazëvendësueshëm për Sarandën. “Edhe këtë garë do të fitojmë, duke besuar se rininë e Sarandës, biznesin dhe qytetarët e saj i kam me vete, pasi janë edhe ata bashkautorë të punëve të mira e të mëdha”, - theksoi Gjoka. Kandidati për mandatin e tretë të kryetarit të bashkisë së Sarandës shprehu bindje në fitoren që do të regjistrohet me votimet e 8 majit, duke u shprehur në mënyrë të figurshme se luhet në stadiumin e shtruar me tapet, ku kundërshtarët tanë politikë nuk kanë bërë stërvitje. Ai ka pranuar se jo çdo gjë ka qenë e përsosur, por çdo gjë ka funksionuar dhe vazhdimi i investimeve e i punëve që janë në proces bëhet i mundur nga vazhdimi i projekteve dhe investimeve të nisura e ato që u shtohen atyre.

Studentë dhe qytetarë të pranishëm në takim kanë shprehur mbështetjen ndaj kandidaturës së Edmond Gjokës.

Ilir Bele bën prezantimin e parë publik

“Premtoj punë dhe zhvillim për qytetin tim”

FIER - Kandidati i Partisë Demokratikë për kreun e bashkisë në Fier, Ilir Bele, është prezantuar sot për herë të parë me mediet duke shprehur angazhimin e tij në këtë garë. Duke falënderuar strukturat e Partisë Demokratike prej bazës në qendër për përzgjedhjen dhe besimin e kandidaturës së tij për kreun e bashkisë së Fierit, Bele është shprehur dhe ka premtuar se do të punojë për prosperitetin e këtij qyteti dhe motoja e tij e vetme do të jetë puna dhe përkushtimi ndaj kërkesave të komunitetit. Gjithashtu për kandidatin e PD-së për kreun e bashkisë së Fierit, Ilir Bele, është shprehur një vlerësim edhe për kandidatin rival Baftjar Zeqaj, por do të jetë vota e komunitetit fierak që do të përcaktojë më të mirin që i duhet drejtimit të këtij qyteti dhe ecjes së tij përpara. Sa për platformën elektorale kandidati Bele është shprehur se ajo do të vijojë në ditët në vazhdim, duke përfshirë të gjitha fushat dhe mendimin e specialistëve.“Ne jemi vlerësuar dhe respektuar dhe nga ana ime i falënderoj thellësisht të gjithë ata që besuan në kauzën dhe dashurinë time për qytetin e Fierit. Dhe kjo sinqerisht është sfida më e rëndësishme imja në jetën time dhe jo vetëm imja, por dhe atyre që me besuan dhe për ata që do të më votojnë për mua dhe qytetin tonë.” Në pikëvështrimin e kandidaturës tjetër, Ilir Bele ka pohuar se e vlerëson kandidaturën, por është shpejt për të folur për pjesën tjetër. Kjo u takon ditëve në vijim.

Aurora Damini

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›