E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasjet, kryesia vë vulën në minutat e fundit

29/03/2011  PS zyrtarizon listën e kandidatëve për zgjedhjet e 8 majit

Partia Socialiste miratoi dje listën e kandidatëve për kryetar bashkie e komune që do të kandidojnë në zgjedhjet lokale të 8 majit. Pas dy ditë diskutimesh, kryesia e Partisë Socialiste i vuri vulën përfundimtare listës së këtyre kandidaturave. Megjithatë, burime pranë selisë rozë bënë me dije se një proces i tillë hasi në një sërë vështirësish, ku ndër to përfaqësuesit socialistë veçuan jo vetëm përzgjedhjen e një emri në një listë prej disa kandidaturash për të njëjtën zonë, por njëkohësisht dhe pretendimet e aleatëve për ato njësi vendore ku PS-ja i shikon si bastione të saj. Për këtë shkak lidershipi socialist e konsideroi si të pavend lëshimin e zonave të saj, duke krijuar jo pak pakënaqësi mes saj dhe aleatëve. Më konkretisht, komuna Novoselë në qarkun e Vlorës ishte një kërkesë e pandërprerë e Partisë Socialdemokrate për të kandiduar ajo me kandidatin e saj në këtë zonë, kandidat që sipas sondazheve ishte dhe fitues. Por pavarësisht kësaj, kryesia gjatë mbledhjes së djeshme vendosi që të ishte PS-ja ajo që të kandidatonte në këtë komunë. Nga ana tjetër mësohet se PS-ja ndihet e rrezikuar në këtë zonë, për shkak se pretendenti për kandidat përfaqësues i PSD-së ka kërcënuar se nuk do të heqë dorë nga kandidimi i tij më 8 maj. Gjithashtu edhe Partia Demokristiane ka pasur një listë të gjatë pretendimesh, por duhet theksuar se nga ana e saj PS-ja ka plotësuar jo pak nga këto kërkesa. Veç zonave në Veri të vendit, PDK-ja do të garojë me kandidatin e saj në komunën e Lukovës, ndërkohë që kryesia vendosi që të mos i lërë si zonë të lirë komunën e Bratit. Ndërkohë që brenda vetë radhëve socialistë ka pasur përplasje në qarkun e Beratit, ku dhe për vetë kreun aktual të bashkisë pati diskutime në kryesi mbi rikandidimin e tij. Po kështu dhe për njësitë bashkiake në Tiranë u shfaqën mjaft probleme, ku për disa njësi kishte më shumë se dy kandidatura të propozuara. Madje, ishte pikërisht përzgjedhja e këtyre kandidatëve që zgjati dhe më tej diskutimet në kupolën rozë, ku dhe pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë deputetë të Tiranës u thirrën në takim nga lidershipi socialist për të bërë ndarjen përfundimtare të kandidimeve.

Pakti PS-PBDNJ për kandidimin më 8 maj

Gjatë paradites së djeshme lidershipi socialist zhvilloi një sërë takimesh me deputetë e aleatë të PS-së për të diskutuar mbi kandidaturat në garën e afërt elektorale. Ndërkohë që po dje në ambientet e PS-së u pa dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule. Burime pranë PS-së bënë me dije se gjatë takimit Rama-Dule u finalizua marrëveshja teknike mes këtyre dy partive. Kështu, mësohet se lidershipi socialist ka marrë garancinë e aleatit të tij që në zona në të cilat PS-ja ka një rezultat gati të afërt me kundërshtarin e saj PBDNJ-ja të mos dalë më një kandidat të sajin, por të mbështesë kandidatin e PS-së. E njëjta situatë pritet të jetë dhe në bashkinë e Tiranës, ku PBDNJ-ja të mos nxjerrë kandidat të saj. Në këmbim të kësaj mbështetje lidershipi socialist i ka garantuar zona të lira vetë PBDNJ-së, duke i plotësuar kësaj të fundit kërkesat që ajo ka ofruar për PS-në që kur nisën bisedimet mes palëve mbi një marrëveshje teknike për zgjedhjet lokale të 8 majit. Ndërkohë aleatët e tjerë të PS-së mbetën të pakënaqur mbi zonat e ofruara nga PS-ja. Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë në PS erdhën krerët e majtë për t’u njohur me vendimin e marrë nga ky forum.

PS akuzon qeverinë

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë “Berisha” për keqpërdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, me qëllim që të sulmojë opozitën. Ishte deputetja e PS-së Ermonela Felaj ajo që e mbështeti këtë akuzë duke iu referuar spoteve të lëvizjes “Zgjohu”. “Prej disa ditësh nëpër ekranet e televizioneve shqiptare kanë filluar të shfaqen sërish spotet politike të së ashtuquajturës lëvizja ‘Zgjohu’, një organizatë fantazmë e sponsorizuar nga regjimi i Saliut vetëm e vetëm për të shpifur e sulmuar Partinë Socialiste dhe opozitën shqiptare”, - vuri në dukje Felaj gjatë një deklarate për shtyp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›