E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare pret burgun përjetë me kokën lart

29/03/2011  Gjykata dënon Alfred Shkurtin me 146 vite burg dhe burg përjetë për 12 akuzat

Kapobanda i Lushnjës buzëqesh me ironi kur gjyqtarja e dënon përjetë

TIRANE-Me kokën lart dhe një buzëqeshje që karakterizohej me nota ironike, kreu i Bandës së Lushnjës Aldo Bare ka dëgjuar gjyqtaren Fatmira Hajdari teksa lexonte dhënien e vendimit me burgim të përjetshëm ndaj tij. Vendimi që përmban rreth 100 faqe, shpalli fajtor Aldo Baren për një sërë akuzash, duke filluar nga ajo e vrasjes me paramendim të kryer më shumë se një herë, krijim të organizatës kriminale, armë mbajtjes pa lejë dhe shkatërrimit të pronës private me zjarr. Vendimi i djeshëm është finalizuar pas një maratone seancash gjyqësore, ku kanë dëshmuar më shumë se 50 dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria dhe avokati i të dënuarit Aldo Bare, Vladimir Meçi. Pas tre vitesh gjykim, pesëshja e gjyqtarëve e kryesuar nga Fatmira Hajdari i dha fund hetimit gjyqësor për Baren, duke e shpallur fajtor për të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria. Por dënimi përjetë është dhënë vetëm për vrasjen e shtetasit Xhevat Demiri, ndërsa për ekzekutimet, si dhe krimet e tjera, si shkatërrim i pronës dhe krijimi i organizatës kriminale, gjykata dha në total 146 vite burgim. Gjatë leximit të masave të dënimit Aldo Bare nuk ka bërë asnjë reagim nga kafazi i hekurt, por vetëm se e ka shoqëruar atë me një buzëqeshje ironike dhe disa fjalë të ulëta që nuk mundën të dëgjohen në sallë. Me këtë vendim drejtësia shqiptare ka gjunjëzuar njërin prej njerëzve më të përfolur në botën e krimit shqiptar, ndërkohë që avokati mbrojtës ka theksuar se vendimi do apelohet në të gjitha shkallët e gjyqësorit, pasi ai është i padrejtë. “Asnjë nga dëshmitarët e pyetur në gjykatë nuk ka drejtuar gishtin mbi Aldo Baren”,-ka pohuar avokati Meçi, i cili ka shtuar se vendimi ka qenë politik dhe jo profesional. I cilësuari si kapoja i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, u akuzua për 12 vepra penale, si: krijim organizate kriminale, vrasje, plagosje, etj. Ai u ekstradua drejt Shqipërisë në nëntor të vitit 2009, pas tri vitesh qëndrimi në qelitë e burgjeve turke. Aldo Bare për vite të tëra ka qenë një ndër emrat e renditur në listën e personave të shumëkërkuar të drejtësisë. Gjatë gjykimit ai nuk ka pranuar asnjë nga akuzat e Prokurorisë, ndërsa nuk kanë munguar edhe akuzat e tij ndaj gjykatësve për një proces të ndikuar politikisht. Herë pas here Bare ka sulmuar ashpër nga kafazi i hekurt dhe Kryeministrin e vendit Sali Berisha si dhe dëshmitarët e Prokurorisë, veçanërisht dëshmitarin Gramoz Selmani. Ndaj këtij të fundit Bare ka lëshuar në gjykatë një lumë sharjesh dhe ofendimesh deri në kërcënime për jetën, duke i thënë se do e vriste duke ja ndarë trupin në disa pjesë. Kërcënimeve të Aldo Bares nuk i kanë shpëtuar as efektivat e policisë që shërbejnë për ruajtjen e sigurisë në gjykatë, me të cilët Bare është futur në konflikt, pasi ata tentuan ta nxirrnin jashtë pas vendimit të gjykatës.

Akuzat e Prokurorisë

1. Deklarimin fajtor për “vrasje me paramendim”, në bashkëpunim të shtetasit Genci Kashari

2. “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja.

3. “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale.

4. “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Nimet Zeneli, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale.

5. “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë të shtetasit Masar Aliu si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale.

6. “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë të shtetasit Gramoz Selmani si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale.

7. “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Masar Aliu, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale.

8. “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Luan Bilbili, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale.

9. “Mbajtjes pa leje të armës luftarake”.

10. “Shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu.

11. “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale”.

12. “Krijimit të organizatës kriminale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›