E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS e nisin me këmbën e mbarë, reforma zgjedhore sërish drejt dështimit

Share

Një ditë më parë Kuvendi miratoi me konsensus që të shtyjë afatet për komisionin e reformës zgjedhore. Pas presionit të BE dhe pas kritikave të koalicionit të vëzhguesve vendorë, u mendua se PS e PD do reflektojnë dhe do nxitojnë me punën për reformën zgjedhore. Por ditën e parë të mbledhjes u pa se do jetë shumë e vështirë që reforma të mbarojë. Bashkëkryetari i PS, Damian Gjiknuri braktisi mbledhjen, kurse për gazetarët folën Oerd Bylykbashi, ekspert i PD dhe Bledar Çuçi, ekspert i PS.

Socialistët kanë kërkuar që ODIHR të sjellë rekomandime me shkrim për çështjen e numërimit elektronik, por PD thotë se rekomandimet janë sjellë, ndaj duhet të punohet nga ekspertët. Por PS këmbëngul se nuk ka pasur rekomandime specifike. Po ashtu një debat ka lindur edhe për mandatin e ekspertëve, pasi PD mendon se duhej të ishte votuar edhe për shtyrjen e mandatit të tyre.

Oerd Bylykbashi u shfaq përpara mediave dhe foli me një gjuhë tipike të mazhorancës, duke përmendur bllokimin e hipokrizinë si fjalë kyçe. Kurse Çuçi tha se nëse ekziston vullneti, gjërat mund të ecin shpejt.

Edhe pse palët thonë se kanë përparuar shumë për reformën zgjedhore, sërish çështjet kyçe si numërimi elektronik, kontrolli i kartave të identitetit apo formula e përbërjes së KQZ mbeten peng.

Një pyetje lind: A nuk janë këto çështjet kryesore? Çfarë kanë arritur ata deri më tani?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›