Spiropali sqaron “incidentin”: Është keqinformim

Pas “incidentit” të djeshëm në Asamblenë e forumit të FRESSH, kryetarja e këtij forumi Elisa Spiropali ka sqaruar sot arsyen e braktisjes së mbledhjes nga ajo dhe grupi i saj mbështetës. Në një dalje për mediat Spiropali u shpreh se bojkotimi i djeshëm lidhet me cështje organizative të brendshme që po merr zgjidhje në mënyrë demokratike. Spiropali gjithashtu ka akuzuar mediat për keqinformim të lajmit, nën pretendimin se është tentuar të hidhet baltë ndaj organizatës së drejton.
“Pas një punë të jashtëzakonshme për një model të ri gare që ofroi një shembull të ri na u desh të zgjidhnim një problem organizativ që tashmë e kemi zgjidhur, askush nuk ka pse të çuditet nga debatet tona të brendshme, që janë cështje pa interes publik. Kjo është liria dhe do t`i qëndrojmë përballë të bashkuar me njëri tjetrin për të fituar betejën tonë. FRESSH është forum i pavarur, i fortë, demokratik, dhe ka të drejtën të zgjedhë në frymë gare të gjitha nivelet drejtuese”- tha ajo.
Spiropali sqaroi edhe problemin me listat, që sipas saj po gjen zgjidhje.