E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS unifikojnë qëndrimet. Të vegjlit kundër po bëhen pazare politike

Komisioni i Ligjeve sot pritet do të miratojë ndryshimet kushtetuese të propozuar nga PD-ja. Dy relatorët e komisionit Trashani nga PD-ja dhe Xhafa nga PS-ja dje kanë diskutuar dhe kanë unifikuar qëndrimet e dy partive kryesore për sa i përket ndryshimeve në kushtetutë. Nëpërmjet një drafti të paraqitur në komision të ligjeve, PD-ja ka kërkuar që të ndryshohet pesë nene të kushtetutës së Shqipërisë. Nenet që ndryshojnë janë 87 i cili përcakton mënyrën e zgjedhjes së presidentit, propozimi i ri është zgjedhja me shumicë të thjeshtë në raundin e pesat nëse në katër raundet e para kreu i shtetit nuk ka mundur të zgjidhet me 3/5. Neni 88 i cili përcakton procedurat për zgjedhjen e presidentit. Neni 104 ku kryeministri ka të drejtë ti paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Neni 105 ku kërkohet që kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një kryeministër të ri, si dhe nenin 149 i cili përcakton zgjedhjen e kryeprokurorit, shkarkimin e tij dhe mandatin e tij prej 5-7 vjet. Aktualisht komisioni i ligjeve ka marrë në diskutim paketën e propozuar nga opozita për ndryshimin e reformës zgjedhore si dhe paketën e PD-së për ndryshimet kushtetuese. Ndryshimet në reformën zgjedhore janë kaluar dje në parim pas një diskutimi prej gati tri orësh në komisionin e ligjeve me votat e PD-së dhe të PS-së, ndërsa partitë e vogla LSI-ja dhe PBDNJ-ja kanë kundërshtuar ndërsa PR-ja ka abstenuar. Këta partitë të vogla të mbështetur edhe nga partitë e tjera janë shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese, por pretendimet e tyre duket se po bien në vesh të shurdhër pasi dy partitë e mëdha të unifikuara në qëndrimin e tyre kanë vendosur ti miratojnë ato. PD-ja dhe PS-ja kanë kërkuar që ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet për reformën zgjedhore të kalojnë si paket në parlament. Qëndrim i cili është kundërshtuar nga partitë e vogla të cilat kanë kërkuar që në fillim të kalojnë në kuvend vetëm ndryshimet për sistemin zgjedhore dhe më pas të kalojnë ndryshimet kushtetuese. Sot komisioni i ligjeve pritet të nisë diskutimin nen për nen të propozimeve të PD-së për ndryshimet kushtetuese për ti kaluar më pas në parlament për votim së bashku me ndryshimet në reformën zgjedhore. Për reformën zgjedhore dhe për ndryshimet kushtetuese ndryshe nga herët e tjera PD-ja dhe PS-ja kanë bashkëpunuar duke unifikuar qëndrimet e tyre. Bashkëpunim i cili është kundërshtuar nga partitë e vogla parlamentare të cilat në deklarata e tyre kanë akuzuar PD-në dhe PS-së për pazare politike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›