E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e Tiranës, Aldo Bumçi kryetari i ri

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Aldo Bumçi u zgjodh kryetar i PD-së së Tiranës me 559 vota përballë Lajla Përnaskës dhe Gjergji Bojaxhiut


TIRANË- Aldo Bumçi, kryetari i PD-së Tiranë, i mori urimet ende pa u zgjedhur në këtë post gjatë konferencës së djeshme të Tiranës.


Gjatë periudhës së pushimit, pas fjalës së Kryeministrit Sali Berisha dhe prezantimit të tre kandidatëve, Bumçi mori përgëzimet për detyrën e re, pavarësisht se votimi për të dhe dy kandidatët e tjerë, do të fillonte vetëm pak minuta më vonë.


Mbështetja e kësaj figure nga Kryeministri Sali Berisha në disa debate televizive, por edhe platforma e vetë Bumçit tregonte për një zgjedhje të paracaktuar tashmë, pas dorëheqjes së Besnik Mustafajt, një ditë para zhvillimit të kësaj konference.


Megjithatë, pas një periudhe të gjatë votimi, në momentin e fillimit të procesit të numërimit, kamerat nuk janë lejuar të filmojnë, duke i nxjerrë jashtë ambienteve të TOB-it, me argumentin se numërimi do të zgjaste me orë të tëra.


Por vetëm pas disa minutash, operatorët dhe media janë lejuar që të futen sërish. Bumçi u zgjodh me votat e 559 delegatëve, ndërkohë që dy kandidatët e tjerë, Gjergji Bojaxhi, mori 175 vota ndërsa Lajla Përnaska 41 vota.


Platforma


Kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, ishte i vetmi nga kandidatët që paraqiti një platformë mbi ndryshimet që duhet të ketë dega kryesore e PD-së.


Pa përmendur emra, ai u bëri thirrje disa figurave kryesore, që kanë kontribuar ndër vite pranë PD-së, por të larguar tashmë, që të angazhohen sërish politikisht.


"PD-ja duhet të theksojë gjithashtu identitetin e saj politik, duke përfshirë në këtë proces çdo anëtar të thjeshtë. Ne na duhet të krijojmë hapësirë publike për debat në degën e Tiranës, i cili të përfshijë çdo seksion të saj për t'i ripërtëritur politikisht strukturat tona. Dega e PD-së së Tiranës duhet të jetë e hapur për të gjitha grupet e interesit.


Ajo, sidomos, duhet të lidhet me botën universitare, duke luftuar për nxitjen e liberalizmit politik, duke i ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e vizionit politik",- tha Bumçi. Kryetari i PD-së së Tiranës ka kërkuar gjithashtu, gjatë fjalës së mbajtur, që strukturat e PD-së të zhvillojnë debate për projektet e Tiranës


Berisha


Kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk qëndroi të dëgjonte platformën e tre kandidatëve, që ai dhe kryesia e vogël kishin përzgjedhur për degën e PD-së së Tiranës.


Megjithatë, gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh i sigurt se zgjedhjet e 28 qershorit do ta bëjnë Tiranën fitimtare. "Nga kjo konferencë ne zotohemi se do ta bëjmë Tiranën në çdo qelizë të saj blu dhe fitimtare.


Sot ne zotohemi se fitoren e 2005-ës do ta zgjerojmë në një masë të paimagjinueshme dhe se Tirana e 28 qershorit, për sa i përket votës, do të jetë Tirana e vitit '92",- tha Berisha.


Kryetari i PD-së i ka kërkuar dje Kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, që të dorëzojë projektin e Unazës së Madhe të Tiranës, të cilën kjo mazhorancë, sipas tij, është e gatshme ta përfundojë brenda 1 viti.


"Ne do të zgjidhim në një kohë rekord problemet e trafikut të këtij qyteti dhe jemi të vendosur të nxisim biznesin dhe zhvillimin e tij në kryeqytetin e vendit. Kemi projekte për një seri parqesh industriale, që janë planifikuar në zonat përreth Tiranës, ku do të punësohen shumë qytetarë", - tha Berisha.


Anëtarësitë reja

Ndërkohë, ish-kryetari i PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi, deklaroi dje se katërvjeçari i fundit ishte periudha më intensive në jetën politike të kryeqytetit. "Janë 5 mijë qytetarë që, gjatë procesit të ristrukturimit janë anëtarësuar në PD, ku 30 % janë zonja, ndërsa 2304 janë të rinj që i bashkohen PD-së së Tiranës", - tha ai.


Ndërsa kandidatja për PD-në e Tiranës, Lajla Pernaska, deklaroi dje gjatë konferencës se mazhoranca ka qartazi një aksion për qytetarët dhe zhvillimin e vendit, por, sipas saj, edhe një model për qeverisjen e Tiranës.


Gjergji Bojaxhi, kandidati tjetër për degën e kryeqytetit, shprehu bindjen se "ekipi i ri udhëheqës i PD-së së Tiranës, në bashkëpunim me kryesinë e partisë, do të bëjë një punë efikase për të fituar shumicën e deputetëve në kryeqytet".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›