KQZ shtyn edhe me 4 orë afatin e dorëzimit të listave
Gjatë ditës së djeshme, vetëm 6 parti kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë pranë KQZ-së
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar orën 20 të mbrëmjes së sotme si afatin e fundit të dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë.
Në mbledhjen e radhës së zhvilluar pasditen e djeshme, KQZ-ja ka vendosur që të shtyjë afatin e pranimit të listave të kandidatëve nga forcat e regjistruara më parë si subjekte zgjedhore edhe pas orës 16, pra pas përfundimit të orarit zyrtar.
Faktikisht, ky komision ishte i detyruar të merrte një vendim të tillë, për shkak se kur kanë mbetur edhe vetëm pak orë nga skadimi i afatit ligjor, vetëm 6 prej 45 partive kanë paraqitur deri dje në darkë listat e kandidatëve për deputetë.
Më konkretisht, bëhet fjalë për partinë Aleanca Kombëtare, Partia e Gjelbër Shqiptare, Partia Demokracia Sociale, Lidhja Demokristiane, Partia Bashkimi Liberal dhe Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar.
Megjithatë, edhe këto forca nuk kanë paraqitur nga 140 kandidatë secila, por i janë përmbajtur detyrimit të Kodit Zgjedhor për të paraqitur kandidatë më shumë se gjysma e numrit të mandateve në çdo zonë.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ-ja ka diskutuar, por pa arritur të marrë dot një vendim edhe mbi formatin e fletës së votimit.
Siç edhe ka informuar administrata e këtij komisioni, mbetet problem për një fletë normale votimi, numri i madh i forcave dhe koalicioneve zgjedhore që garojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Për të eliminuar një fletë të madhe votimi, aspak komode, qoftë në përdorim nga votuesit, ashtu edhe për sistemimin e tyre në kutitë e votimit, është propozuar që të zvogëlohet fondi i shkronjave të emërtesave të subjekteve zgjedhore, si dhe emërtimi i koalicionit zgjedhor ku bëjnë pjesë forcat politike të vendoset vetëm një herë në fletën e votimit.
Një tjetër çështje që është prekur gjatë mbledhjes së ditës së djeshme ka qenë edhe lista e zgjedhësve.
Nga informimi që i ka bërë administrata KQZ-së, ka rezultuar se më shumë se 30 njësi vendore nuk kanë dorëzuar ende listat e zgjedhësve.
Ndërkohë, nisur nga një problem i tillë, KQZ-ja ka paralajmëruar se do të kërkojë penalizimin sipas ligjit të drejtuesve të njësive vendore për moszbatim të detyrimit ligjor.