E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e Tiranës, lumë kandidaturash për kryetarin

Seksionet propozojnë emrat më të lakuar në media. Kryetari do të zgjidhet në muajin mars

TIRANË- Viti 2008 po mbyllet me një numër të madh kandidaturash për degën e Partisë Demokratike për kryeqytetin. Nga seksionet e PD-së në Tiranë kanë dalë propozime si rrallë herë në proceset e brendshme zgjedhore të kësaj force politike. Emrat më të lakuar janë ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, Drejtori i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, deputeti Edi Paloka, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zv-ministri Genci Strazimiri dhe së fundmi është lancuar edhe deputetja Lajla Pernaska. Ndërkohë, mes propozimeve të mbërritura në selinë blu të bien në sy, emrat e të gjithë anëtarëve të kabinetit Berisha.

Gara për Tiranën, këtë herë është një nga më interesantet në vetë historinë e PD-së, për shkak se ky proces është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2009. Me sistemin e ri zgjedhor, që për herë të parë do të aplikohet vitin e ardhshëm në Shqipëri, ndryshon edhe organizimi në bazë të 12 qarqeve. Ndaj, dega e Tiranës do të jetë më e rëndësishmja, pasi nga ky qark do të dalin 34 deputetë të Kuvendit të ardhshëm, nga 140 që do të zgjidhen gjithsej në legjislaturën e ardhshme. Një rëndësi të madhe në këtë proces do të ketë edhe kryetari i degës së PD-së së Tiranës në caktimin e emrave në listë të kandidatëve për deputet. Edhe vetë Kryeministri Sali Berisha është angazhuar për herë të parë në këtë proces zgjedhor partiak të kryeqytetit. Aktualisht, dega e Tiranës është ende ne fazën e propozimeve nga seksionet, ndërkohe që është vetëm kryesia qendrore ajo që do të bëjë përzgjedhjen e kandidaturave, për t’ia kaluar formalisht me pas kryesisë së PD-së, Tiranë. Pak kohë më parë, kryesia e PD-së miratoi një udhëzim, ku përcaktoheshin kriteret specifike që duhet të plotësonin kandidatët për kryetarë të degëve dhe nëndegëve të PD-së. Sipas udhëzimit, të gjithë ata që do të kandidojnë për kryetar të degëve të PD-së, duhet të kenë përvojë politike si anëtarë të kësaj partie, të kenë aftësi të veçanta intelektuale dhe të kenë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së. Ndërsa në nenin 27 të statutit të PD-së, në kapitullin “Kryetari”, thuhet se, është pikërisht kryesia qendrore ajo që formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. “Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH-së. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat”,- thuhet në nenin 27 të statutit. Kryetari i PD-së, Tiranë pritet që të zgjidhet vetëm në muajin Mars të vitit që vjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›