E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PD gati në çdo moment për Reformën në Drejtësi”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, deklaron se Partia Demokratike është e gatshme të ulet në tryezë me opozitën për të vazhduar Reformën në Drejtësi. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që të vonohet ky proces. Lidhur me çështjet se ku do të procedohet më tej, Beja tha se do të niset me administratën e gjyqësorit, çështje kjo që është diskutuar edhe kur u miratua projektligji për gjyqësorin. “Ne kemi lënë një punë gati dhe është çështja e administratës së gjyqësorit. Unë kam komunikuar me Ministrinë, ata po komunikojnë me Këshillin e Evropës dhe po ecet në këtë drejtim. Me të përfunduar ky proces, ne mund të futemi në diskutim, sepse kemi rënë dakord të dy palët që të ecim me këtë çështje”, - tha Beja. Ai sqaroi më tej se, kur thuhet sa më shpejt, nënkuptohen ditë, pra një afat shumë i shkurtër brenda të cilit do të rifillojë puna për Reformën në Drejtësi. Numri një i Komisionit të Ligjeve sqaroi më tej se trajtimi i administratës së gjyqësorit është i rëndësishëm, sepse në këtë mënyrë nuk do të ketë më raste që të mos zbardhen vendimet dhe qytetari mund të ketë mundësi të apelojë. Beja siguroi se për këtë projektligj, ashtu si dhe për atë që u miratua me konsensusin e palëve, do të dëgjohet mendimi i të gjitha palëve. “Menjëherë pas kësaj kemi lënë problemin e policisë gjyqësore që lidhet me ligjin për prokurorinë, është problem për shoqërinë shqiptare dhe duhet zgjidhur. Dhe në këtë drejtim po punohet dhe nga Ministria që të ecim bashkë me opozitën. Ka dhe probleme të tjera, që kanë dalë si probleme, siç është varësia e inspektoratit nga KLD apo Ministria. Ndërkohë që problemi i imuniteteve është një tjetër çështje, sepse imunitetet nuk janë vetëm politike dhe duhen zgjidhur. Unë nuk shoh asnjë pengesë nga mazhoranca dhe opozita”, - tha Beja. Për sa i përket përfshirjes në diskutime të varësisë së Prokurorisë së Përgjithshme, Beja nuk bëri komente, duke pohuar se do të diskutohen ato çështje që janë prioritare dhe që janë trajtuar si probleme për t u zgjidhur edhe në raportin e Bashkimit Evropian.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›