E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prokuroria duhet të jetë një institucion i pavarur”

Autori i Lajmit: red.
Deputeti demokrat Dashamir Sula deklaroi të hënën se Reforma në Drejtësi është e domosdoshme, ndërkohë që konfirmoi se mbështet variantin që Prokuroria të jetë një institucion i pavarur. “Përderisa Prokuroria bën pjesë në sistemin gjyqësor, ajo është një pushtet i pavarur”, - tha Sula ndërkohë që, sipas tij, ka disa modele mbi mënyrën e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm që mbeten për t u diskutuar. “Kemi modelin amerikan, ku Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Presidenti ose modelin maqedonas, ku zgjidhet nga Kryeministri. Kjo ngelet për t u diskutuar, por personalisht mendoj se, nëse shikohet mundësia që të trajtohet si pjesë e ekzekutivit, do të kemi shumë akte që duhen ndryshuar dhe do të kemi probleme të tjera”, - shtoi se ai. Duke u ndalur më gjerësisht te Reforma në Drejtësi, Sula u shpreh se duhet nisur me ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurorive të shkallës së parë, dhe kjo ka nisur që me kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas deputetit të PD-së, ndryshimet në ligjin për organizimin e Prokurorisë dhe të Policisë Gjyqësore janë imediate, pasi ka mjaft vend për të rregulluar, në mënyrë që të përcaktohet qartë pozicioni i prokurorit dhe i Policisë Gjyqësore.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›