E Diel, 1 Nëntor 2026

PS fajëson Qeverinë për mungesën e sigurisë në vend

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste reagon ndaj gjendjes së sigurisë në vend duke fajësuar ekzekutivin. Deputeti i PS-së, Marko Bello, pohoi se përditë faqet e gazetave mbushen me kronikë të zezë nga aksidentet, vrasjet apo edhe vetëvrasjet e shqiptarëve. Për të faktuar këtë gjë, Bello përmendi një sërë vrasjesh apo aksidentesh të këtyre ditëve të fundit. “Si për ironi, kryeministri Sali Berisha ndërmerr një të ashtuquajtur tur mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Do të rritet siguria dhe do të vërshojnë lumë investimet, përpiqet të na mbushë mendjen kryeministri më i papërgjegjshëm dhe më rrenacak bashkë me kasnecët e tij në Qeveri e Parlament. Vetëm 10 ditët e fundit kanë ndodhur të paktën 5 vrasje të tipit mafioz, sikurse njofton policia. Është kthyer frikshëm krimi, dhuna dhe mungesa e sigurisë në vend”, - tha Bello. Sipas tij, Qeveria duhet të pranojë se ka dështuar në marrjen, zbatimin dhe efikasitetin e masave preventive. Bello kërkoi më shumë përgjegjshmëri nga Ministria e Transporteve e Ministria e Brendshme lidhur me gjendjen e rrugëve e automjeteve që janë në qarkullim, por dhe masave ndëshkimore që përdoren në këto raste.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›