E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, KQZ, si do të vëzhgojnë të huajt



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot projekt-aktin për vëzhguesit e huaj, ku do të përcaktojë të drejtat dhe detyrimet e tyre në këtë proces. Ashtu si vëzhguesit shqiptarë, edhe të huajt, do të ketë mundësi të hyjnë lirisht në qendrat e numërimit të votave, të vëzhgojnë procesin si dhe mund të adresojnë pyetje për Komisionin Zonal, por pa penguar procesin e numërimit të votave apo të vonojnë procesin. Projekt-akti ruan strukturën dhe procedurat e udhëzimeve të miratuara dhe zbatuara për zgjedhjet e Kuvendit në vitin 2005 dhe për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të vitit 2007, pasi përvoja tregoi se nuk pati probleme në zbatimin e akteve, të cilat rezultuan mjaft efikase. Në projekt parashikohet saktësisht se akreditimi i vëzhguesve të organizatave joqeveritare shqiptare dhe të huaja, organizatave ndërkombëtare dhe të përfaqësuesve të shteteve të huaja e të mediave bëhet pasi të ketë një propozim të subjekteve përkatëse si dhe ata të jenë zgjedhës dhe të padënuar penalisht. Subjektet shqiptare që kërkojnë të vëzhgojnë zgjedhjet, duhet të paraqesin kërkesën e tyre dhe dokumentet përkatëse jo më vonë se 15 ditë nga data e zgjedhjeve, ndërsa subjektet e huaja 72 orë para zgjedhjeve. Vëzhguesit kanë të drejtë të pyesin Komisionin Zgjedhor pa penguar punën e tij apo të dalin dhe të hyjnë në mjediset zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›