Rubik, Topalli: Rama, kundër rritjes së pagave
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj të takimeve me qytetarët në qytetin e Rubikut, nga ku sulmoi ashpër politikën e opozitës të drejtuar nga Edi Rama. Topalli deklaroi se opozita ka qenë kundër rritjes së pagave, buxheteve shtesë të investimeve, ka bërë protesta pas NATO-s, si edhe aktualisht është kundër aplikimit të vendit për në BE. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës,- tha Topalli, - bën protesta, pikërisht pas marrjes së ftesës në NATO. Ndërkohë që ne rrisim rrogat në Parlament për arsimtarët, infermierët, për administratën, ata votojnë kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve”. Ajo shtoi se PS-ja ka votuar kundër në Kuvend edhe ndaj investimeve. “Ndërkohë që ne sjellim një buxhet shtesë në Parlament mbi 200, 300 milionë dollarë, të cilat do të shkojnë për Shqipërinë, do të shkojnë për fshatin, qytetin, shkollën, spitalin, ata votojnë kundër buxhetit shtesë. Ne sjellim në Parlament dhe votojmë një buxhet të dyfishuar, ndërsa ata votojnë kundër”, - deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha më tej: “Pas një jave do të shkojmë dhe do të aplikojmë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ata thonë jo, mos e bëni këtë. Ne themi se do të vazhdojmë të rrisim rrogat, ata thonë jo, ky është faj, ju nuk mund ta bëni këtë”. Përpara qytetarëve të Rubikut Topalli bëri thirrje për qytetarët që të marrin kartat e identitet, në mënyrë që sipas saj, të ketë liberalizim vizash. Kryetarja e Kuvendit tha më tej se gjatë qeverisjes së PD-së ka pasur një vëmendje të dukshme ndaj banorëve në fshat. “Sot nuk kemi më një Shqipëri të fshatit dhe një Shqipëri të qytetit, nuk kemi një Shqipëri të majtë dhe një Shqipëri të djathtë, nuk kemi një Shqipëri të veriut dhe një Shqipëri të jugut, por kemi vetëm një Shqipëri, një Shqipëri që po ndryshon dita-ditë, një Shqipëri që është bërë anëtare e NATO-s”, - deklaroi Topalli.