E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD "harron" përkujtimin e themelimit të saj

Partia Demokratike është bërë dje 19 vjeçe, por kanë munguar ceremonitë me këtë rast

TIRANË - Demokratët nuk kanë mundur dot dje të festojnë 19-vjetorin e themelimit të partisë së tyre. Partia Demokratike nën ethet e luftës politike, por edhe të organizimit të Kuvendit të saj zgjedhor që pritet të mbaj punimet nesër, ka "harruar" të organizojë ndonjë ceremoni të veçantë për të kujtuar ditën e krijimit të saj në 12 dhjetor të vitit 1990-të, si forca e parë opozitare pas rënies së regjimit komunist. Ndryshe nga vitet e mëparshme, 12 dhjetori i këtij viti ka kaluar në haresë, ndërsa festimet nga ana e selisë rozë për ngjarjet e dhjetorit të 19 viteve më parë janë mbyllur me mitingun e organizuar disa ditë më parë në sheshin "Skënderbej", ku dhe u festua dita e rinisë dhe fillimit të lëvizjeve studentore.

Burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se anashkalimi i përkujtimit të krijimit të kësaj partie, lidhet direkt me dy arsye që kanë të bëjnë, së pari, me mungesën e kryeministrit Berisha, i cili dje ka qenë në një vizitë zyrtare në Vatikan, ku dhe është pritur nga Papa Benedikti i XVI, si dhe me organizimet që po bëhen prej kësaj force për mbajtjen Kuvendit Kombëtar. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se e gjithë vëmendja e strukturave organizative është përqendruar te ky eveniment zgjedhor në këtë parti, ku përveç zgjedhjes së kryetarit, pritet të bëhen edhe disa ndryshime të rëndësishme në statut.

Kryesia e Partisë Demokratike e cila vendosi thirrjen e Kuvendit më 12 dhjetor, kishte parashikuar që përkujtimi i 19-vjetorit të themelimit të partisë së parë opozitare të bëhej njëherësh me Kongresin. Por, axhenda e Kryeministrit Berisha dhe vizita e tij në Vatikan çuan në shtyrjen e datës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar e për rrjedhojë edhe në anashkalimin e festimin e përvjetorit të krijimit të kësaj partie. "Harresa" ka qenë totale nga ana PD-së, e cila gjatë ditës së djeshme nuk ka bërë as ndonjë përshëndetje mediatike me rastin e këtij përvjetori për të falënderuar ata që kontribuuan në themelimin e kësaj force. Ky përvjetor e gjen Partinë Demokratike sërish të përçarë, ku një numër i konsiderueshëm i grupit nismëtar themelues të saj, për shkak të konflikteve që kanë lindur si pasojë e qëndrimeve të mbajtura nga kryetari Sali Berisha, gjenden sot jashtë saj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›