Vizita te Papa, Berisha: Unë, si Skënderbeu
Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte është pritur dje në një takim të veçantë nga Papa Benedikti i XVI-të
VATIKAN - Nuk ka rëndësi se ku është, nuk ka rëndësi se kë takon, nuk ka asnjë rëndësi situata ku ndodhet sepse Sali Berisha është "gjithmonë gati" të tregojë se vuan nga një sëmundje e rëndë, deliri i madhështisë. Në gjurmët e Fatos Nanos që tha kohë më parë "mua më vjen pas historia", Sali Berisha ka krahasuar dje veten me Skënderbeun. Tashmë zërat që qarkullonin prej kohësh ndër militantët e PD-së se kryetari Berisha ishte si Skënderbeu janë konfirmuar edhe zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave.
Pasi u takua me Papa Benediktin e XVI-të, duke e cilësuar veten e tij si një hero kombëtar, Berisha tha: "Ky është një moment kulmor që do të ngelet përjetë në memorien time. Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu, u prit në Vatikan, nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të perëndimit në rajon kundër invadorëve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua dhe shqiptarët, se sa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë".
Kështu, Berisha pas takimit me Atin e Shenjtë u shpreh për mediat, se kjo vizitë, përveç rëndësisë së saj në aspektin e nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Shqipërisë ka dhe një rëndësi historike, pasi vjen plot 543 vitesh pas vizitës që heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, zhvilloi në Selinë e Shenjtë, ku dhe u takua me Papën e atëhershëm, Palin e II-të.
Deri më tani Berisha e kishte prezantuar veten si një tip atletik që nuk përtoi të ngjiste murin kinez apo që bënte 123 minuta not në ditë ndërsa dje doli edhe hero kombëtar. Duke marrë parasysh se ka premtuar që do rrijë në politikë edhe 30 vjet të tjera, duhet të mësohemi që të dëgjojmë edhe më shumë për Belulin.