PS nis nesër turin e protestave lokale
Partia Socialiste nis nesër nga Durrësi turin e saj njëjavor të protestave kundër politikave ekonomike të qeverisë. Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka njoftuar zyrtarisht fillimin e kësaj vale të re manifestimesh qytetare në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, ku thirrjet dhe sloganet që do të hidhen do të jenë më shumë të karakterit social-ekonomik. "Nga dita e hënë 14 Dhjetor, Partia Socialiste e Shqipërisë së bashku me opozitën e bashkuar qytetare do të organizojë në të gjithë vendin një valë protestash popullore për t'i treguar Sali Berishës, kryeministrit të votave të vjedhura e kutive të mbyllura, se qytetarët duan zgjidhje për krizën ekonomike dhe mbrojtje për bizneset e tyre", - tha Klosi në një komunikim me mediat. Siç bëhet e ditur nga burime pranë selisë rozë, protestat do të jenë lokale, pra të organizuara nga degët e kësaj force në qytete të ndryshme të vendit. E karakterit lokal do të jetë edhe protesta e programuar për tu mbajtur të hënën e 21 dhjetorit në kryeqytet, ku do të ftohen të marrin pjesë qytetarët e Tiranës. Pra, nuk bëhet fjalë protesta masive, siç qe edhe ajo e 20 nëntorit në Tiranë që zgjati plot tre ditë. Të njëjtat burime konfirmojnë se protestat e mëdha do të nisin pikërisht pas vitit të ri, ku dhe do të intensifikohet lufta e opozitës në kërkim të kthimit të legjitimitetit të institucioneve kryesore vendimmarrëse dhe qeverisëse të vendit nëpërmjet hetimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit.