E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS çon sërish qeverinë në Kushtetuese

Deputeti socialist, Erion Braçe, thotë se PS do të çojë ndryshimet e reja në ligjin për inspektoratin e ndërtimit në Gjykatë

Sipas amendamenteve, do të krijohet një njësi speciale pranë Inspektorit Qendror të Ndërtimit me kompetenca edhe në njësitë vendore

Nisma më e fundit ligjore e mazhorancës për të krijuar një departament të ndërhyrjes së shpejtë pranë Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit mund të vërë sërish përballë në Gjykatën Kushtetuese qeverinë dhe Partinë Socialiste. Një ditë pasi kryeministri Sali Berisha bëri të ditur vendimin e qeverisë për t'i propozuar Kuvendit disa ndryshime në ligjin "Për inspektimin e ndërtimit", ku parashikohet që për raste të veçanta t'i japë Inspektoratit Qendror kompetenca që të ndërhyjë edhe mbi njësitë e qeverisjes vendore, selia rozë ka paralajmëruar se do ta godasë atë në Gjykatën Kushtetuese, sapo ai të marrë fuqi vepruese.

Ankimimi
Është deputeti socialist, Erion Braçe, ai që ka bërë të ditur se një ndryshim i tillë ligjor bie në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit, pasi cenon kompetencat e qeverisjes vendore dhe për pasojë do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, qeveria për hesap të luftës së saj politike po synon t'i japë Inspektoratit Qendror që varet nga Ministria e Transporteve kompetenca që me ligjin aktual i takojnë inspektorateve lokale që dhe varen nga njësitë e qeverisjes vendore. "Ne këtë ligj bashkë me ndryshimet e propozuara do ta atakojmë në Gjykatën Kushtetuese, në rastin më të parë që merr formën e plotë", - ka paralajmëruar Braçe. Por, ai ka pohuar, gjithashtu, se kompetencat që tentohet t'i jepen Inspektorit Qendror të Ndërtimit (ish-policisë ndërtimore) bien ndesh edhe me një vendim që vetë Gjykata Kushtetuese ka marrë në lidhje me këtë institucion gjatë vitit 2007-të, në rastin e debatit për mbikalimin e "Zogut të Zi", sipas të cilit ish-policia e atëhershme e Ndërtimit nuk mund të vepronte në territoret e njësive të qeverisjes vendore.

Menjëherë pas këtij vendimi u bënë edhe ndryshimet përkatëse në ligj, ku u shkri një polici e tillë dhe u krijuan inspektoratet lokale të ndërtimit pranë njësive vendore dhe Inspektorati Qendror i Ndërtimit si një institucion që do të vepronte pranë Ministrisë së Transporteve, por që do të kishte kompetenca të kufizuara në territoret e bashkive dhe të komunave. Por, ndërsa nuk kanë kaluar as dy vjet nga rregullimet që iu bënë ligjit në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duket se përshkallëzimi i luftës politike në vend ka bërë të nevojshme për qeverinë që për të goditur kundërshtarët e saj politikë, por edhe bizneset që nuk e mbështesin atë, që të rimarrë sërish kompetencat për të ndërhyrë me anë të Inspektoratit Qendror në njësitë vendore. Një synim i tillë, sipas Braçes, bëhet edhe më i qartë po të shohësh kontingjentin e rekrutuar deri më tani në radhët e këtij inspektorati. "Individët e rekrutuar deri tani në Inspektorat, marrë nga arkivat e 14 shtatorit, shtuar me gangsterë të rinj, natyrisht që do të do të atakohen prej nesh me forcën e ligjit", - tha Braçe.

Moratoriumi
Një tjetër vendim i fundit i qeverisë ishte edhe ai për zgjatjen edhe me tre vite të tjera e veprimit të moratoriumit të skafeve në bregdetin shqiptar, i cili, sipas selisë rozë, cenon rëndë liritë dhe barazinë e shtetasve shqiptarë me ata të huaj. Kështu, përveç impaktit negativ që do të ketë në aspektin e zhvillimit të turizmit, PS vlerëson se në thelb moratoriumi është diskriminues për shtetasit shqiptarë, pasi ndalimi i mbajtjes së skafeve bëhet vetëm për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, por jo për ata të huajt. Sipas deputetit socialist, Erion Braçe, vetë aksioni i fundit i institucioneve të rendit dhe drejtësisë në portin e jahteve në Orikum, evidentoj se moratoriumi nuk kishte asnjë vlerë për mjetet lundruese në pronësi të shtetasve të huaj.

Këtu Braçe ka gjetur rastin të sulmojë edhe Kuvendin e ri të Shqipërisë, i cili, sipas tij, ka në përbërje të tij deputetë që më parë kanë qenë skafistë. "Një pjesë e tyre që në disa qarqe bregdetare që kanë kufij ujorë kandiduan në zgjedhje vinin nga kontingjenti i atyre që deri dje nuk kanë ngarë makina, por skafe dhe që i njeh popullata e këtyre zonave. Një pjesë e tyre janë sot pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Verifikoni protokollet e hyrje-daljeve në burgjet e Leçes në Itali dhe do t'ju vijë ndot për parlamentin që kemi", - tha Braçe.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›