PD hedh dyshime për grevën e urisë
Erald Kapri
Maxhoranca hedh dyshime për grevën e urisë dhe kërkon nga opozita të lejojë trupën e mjekëve të shërbimit zyrtar të shëndetësisë t’i ekzaminojë grevistët. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, deklaroi dje se pengimi i mjekëve zyrtarë është një shkelje e ligjit dhe konventave ndërkombëtare. Zëdhënësja e PD-së i drejtoi një pyetje kreut të opozitës mbi arsyet e bllokimit të mjekëve për të ekzaminuar grevistët. “Sot jam para jush për t’i drejtuar pyetjen publike Edi Ramës: çfarë fshihet prapa fletëve të çadrave që ti ke frikë se mos shërbimi zyrtar shëndetësor do ta nxjerrë në shesh? çfarë fsheh ti në fletët e çadrave, kur nuk lejon shërbimin sanitar të kontrollojë edhe për kushtet bazë të të burgosurve të tu?”, tha Mëhilli. Ndërkohë gjatë seancës së pasdites në Kuvend, ku opozita nuk mori pjesë, deputetët e PD-së lëshuan akuza të ashpra ndaj kreut të opozitës, Edi Rama. Deputeti Edi Paloka deklaroi se nuk duhet të ketë keqardhje për grevistët. “U qani hallin grevistëve që kanë hyrë në greve? Lërini burrat e tyre t’u qajnë hallin. Dalin e deklarojnë se po bëjnë dush poshtë zyrës së Berishës. Nuk e di a ka ndonjë burrë në Shqipëri që ta shohë gruan në televizion, duke deklaruar se po bën dush poshtë zyrës së Berishës dhe të ndihet i lumtur për këtë. Të mos t’iu vijë keq. Janë si kokrra e mollës, siç i shihni për ditë. Më mirë se ne”, tha Paloka. Deputetë të tjerë akuzuan opozitën se po tenton të marrë pushtetin me dhunë. Deputetët e qarkut të Korçës, Edmond Spaho, Ledina Aliolli, Gjergji Papa, duke iu referuar mitingut të fundit në bllokimin e rrugës nacionale Korçë-Pogradec, akuzuan deputetët e PS-së se po tentojnë të ngenë vatra destabilizimi në mbarë vendin. Deputeti Spaho akuzoi ish kryeministrin Majko se gënjeu për protestën pasi goditi Drejtorin e Policisë. “është për të ardhur keq që dy herë ish-Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes godet drejtorin e policisë së Qarkut të Korçës e më pas ankohet për të kundërtën, madje gënjen se kundër turmës u përdor gaz lotsjellës”, tha Spaho. Deputeti tjetër i PD-së, Flamur Noka, tha se këngëtarja Elsa Lila është ngujuar në grevë me vrasësit e nënës së saj. “Po u drejtohem prej këtu kolegëve socialiste. Shqipëria është një vend i lirë dhe e drejta e opozitës për të bërë greva dhe për të protestuar është e shenjte. Por kjo që po bëni ju nuk është grevë, është ngujim i përdhunshëm nënash që urrejnë fëmijët e tyre dhe ngujim i ndonjë vajze që ka urryer nënën dhe që sot solidarizohet me vrasësit e saj. Këto që bëni ju nuk janë protesta, por zhgarravitje barkas rrugëve të deputetëve, depersonalizim dhe shpërfytyrim i tyre nga kryetari i pashpirt. Këto janë forma lëvizjesh Haxhiqamiliste”, tha Noka. Deputetja Aliolli tha se “ka edhe ndonjë grua aty brenda çadrës, që në shoping-un e fundit bleu 5 mijë euro vetëm një çantë dore”. Edhe deputetë të tjerë të maxhorancës si Gerti Bogdani, Lefter Maliqi etj. akuzuan kreun e opozitës. “Kryeministri Berisha vitin e kaluar iu drejtua njërit prej ministrave socialistë: “Ti Halim s’di këndim, je ministër për arsim”. Fatkeqësisht ‘Halimi’ ynë ishte Ndoka, i pa shkollë”, tha Maliqi, i cili shtoi se “ai është sheshi i shqiptarëve dhe nuk është ‘Sheshi i Kuq’ në Moskë. Rama ta dijë mirë këtë gjë”.
Flamur Noka
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka tha në Kuvend se opozita është kthyer në një organizatë anarkiste revolucionare. “Sot është dita kur më shumë se asnjëherë herë tjetër mund të shihen diferencat dhe arsyet se pse është ende e tillë situata politike në Shqipëri. Por mbi të gjitha se përse opozita sot është e dhunuar nga kryetari i saj dhe është shndërruar në një organizatë anarkistësh revolucionarë. Ju shkoftë mbarë protesta por ligjin mos guxoni ta shkelni. E doni apo nuk e doni ju, Shqipëria po e konsolidon shtetin e vet ligjor. Dhe se ky shtet ligjor do ta drejtojë gishtin e vet aty ku është përgjegjësia kryesore. Tek ti, dhe vetëm ti, Edvin Kristaq Rama”, tha Noka dje në Kuvend.
Gerti Bogdani
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, tha dje në Kuvend se kreu i opozitës nuk mund të pengojë vendin të shkojë drejt së ardhmes. “Fatmirësisht, është e qartë për cilindo që ka sy të shohë, që këto veprime të papërgjegjshme mbeten thjeshtë përpjekje, sepse fati i një kombi nuk mund të cenohet nga një njeri i vetëm, rruga e nisur nuk mund të pengohet nga një individ i vetëm, e ardhmja e shqiptarëve nuk mund të errësohet nga papërgjegjshmëria e një shqiptari të vetëm. Fatmirësisht, Shqipëria sot është në rrugën e duhur drejt familjes së madhe evropiane, në ndërtimin e së cilës, siç historia dëshmon, shqiptarët kanë dhënë kontributin e tyre ndër shekuj”, tha Bogdani.
Edmond Spaho
Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, akuzoi dje në Kuvend ish-Kryeministrin Majkon për sulm ndaj policisë. “Ajo që e dallon ngjarjen e Korçës është sjellja prej rrugaçësh e deputetëve të PS-së, që udhëhiqnin atë. Ata u përpoqën që të provokojnë forcat e rendit për t’u sjellë më pas si viktima të policisë. Ajo që e dallon ngjarjen e Korçës është sjellja prej rrugaçësh e deputetëve të PS që e udhëhiqnin atë. Me qëndrime “hidh gurin dhe fshih dorën” duke u fshehur pas një imuniteti parlamentar dhe me fjalë fyese e sharje banale në adresë të policisë dhe drejtuesve të saj ata u përpoqën të provokojnë forcat e saj për të ruajtur më pas rolin e viktimës”, tha Spaho.