E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Veprimet e policisë të papranueshme, do ndëshkohen me ligj



Partia Socialiste reagoi dje për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve të saj në disa qytete të vendit. Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri tha në një konferencë për shtyp se veprimet e forcave të rendit janë të papranueshme dhe ndaj atyre që kanë shkelur ligjin do të ketë ndëshkim penal. “Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij, Tonin Vocaj, Gjergj Jorgo, Krenar Ahmeti, Aleks Hajdari, Emri Vata, Ivzi Bushati, Bernard Caushaj e të tjerë, bëjnë mirë të kujtojnë se çdo akt dhune ndaj kujtdo protestuesi, do konsiderohet akt dhune ndaj të gjithë socialistëve, deputetëve e qytetarëve të thjeshtë, që mbështesin kauzën tonë të drejtë. çdo përpjeke për të kërcënuar, penguar, dëmtuar apo ndaluar persona të veçantë mbështetës të protestës tonë, do të konsiderohet akt dhune ndaj të gjithë ne, dhe si i tillë, absolutisht i pa pranueshëm”, tha deputeti socialist. Sipas Tahirit “para se të ngrenë dorën ndaj qytetarëve të thjeshtë dhe deputetëve të popullit opozitar, këta zotërinj bëjnë mirë të kujtohen se shumë më shpejt seç jua merr mendja, dora e ligjit do të bjerë mbi ta, me një forcë që tani as e marrin dot me mend dhe se nuk do të ketë asnjë mburojë politike a personale, që do të mund t’i shpëtojë nga përgjegjësia ligjore”. Përfaqësuesi i selisë rozë theksoi në të njëjtën kohë se protesta nuk ka për qëllim zënien e rrugës apo pengimin e qarkullimit, por bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›