E Diel, 1 Nëntor 2026

PD fiton 6 komuna në Gjirokastër, rikonfirmohet në komunën Hotolisht

12-05-2011 / Gazeta 55

Bashkia e Gjirokastrës është fituar prej socialistëve dhe ajo e Libohovës prej demokratëve. Në këtë KZAZ janë shpallur fitues në katër komuna kandidatët e PBDNJ-së përkatësisht Dropulli i Sipërm, Dropulli i Poshtëm, Odrie dhe Pogon. Këto zona ishin lënë të lira prej PS. PD ka fituar në gjashtë komuna përkatësisht Lazarat, Picar, Cepo, Zagorie, Lunxhëri dhe Qendër Libohovë, ndërsa PS i kanë takuar një komunë, ajo e Antigonesë. Gjatë procesit të numërimit të votave është evidentuar vetëm një incident ndërsa po numërohej kutia e fundit për komunën Qendër Libohovë. Votat janë numëruar prej vetë KZAZ e cila ka shpallur fitues me diferencë 2 vota kandidatin e djathtë. I veçantë ka qenë rasti i kandidatëve të komunës së Lazaratit Dashamir Aliko i PD që mori 1750 dhe Republika Kasmahu e PS me 200 vota, të cilët kanë qëndruar krah për krah për të ndjekur rezultatin dhe kanë përgëzuar njëri tjetrin në përfundim të procesit. Po ashtu, Partia Demokratike ka korrur sukses në rrethin e Librazhdit, atje ku për herë të parë fiton 2 bashki si dhe një numër të konsiderueshëm komunash, duke e katandisur Partinë Socialiste në vetëm 3 komuna dhe këto bastione të së majtës. Çermenika, Rrajca dhe Qukësi për 4-ër vitet e ardhshme do drejtohen nga kandidatët e PS, ndërsa bashkia Librazhd dhe bashkia Përrenjas, pa harruar dhe komunat Hotolisht, Orenjë, Lunik, Steblevë, Polis dhe Stravaj, do të drejtohen nga kandidatët më të mirë të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”. Në Hotolisht gara ka qenë mjaft interesante, por me diferencë prej 200 votash, është shpallur fitues kandidati demokrat, Fadil Alliu.


Kukës


Përfundon procesi i numërimit të votave, triumfon PD


Ka përfunduar dje në mbrëmje procesi i numërimit të votave në qendrën zgjedhore Nr. 34 që përfshin rrethin e Kukësit me një bashki dhe 14 komuna. “Gjithë procesi zgjedhor në këtë zonë ka vijuar normalisht dhe  të gjitha vendimet janë marrë me mirëkuptim e bashkëpunim mes anëtarëve të komisionit. Një gjë e tillë ka bërë që  procesi i numërimit të votave të vazhdojë normalisht dhe pa shkaktuar vonesa të pa justifikueshme”, tha kryetari i KZAZ-së Nr. 34 Beqir Basha. Ndër 3 komunat e fundit ishte ajo e Bushtricës, ku kandidati i PLL-së Kujtim Gjoka fitoi me 333 vota kundrejt kandidatit të LZHK-së Shahir Sula që fitoi 240 vota. Për komunën e Kalisit kandidati Ahmet Shira i PD-së fitoi me rezultat të ngushtë ndaj kandidatit të PS-së Sehat Daci  me vetëm 3 vota diferencë. Ndërsa në  komunën Arrën kandidati përfaqësues i PS-së Ilir Doci, fitoi ndaj kandidatit të PD-së Dileman Marku  me mbi 100  vota më tepër. Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave bashkia dhe 7 komuna janë fituar nga  përfaqësues të PD-së, ndërsa një komunë, ajo e Bushtricës, nga  PLL-ja. Nga përfaqësues të PS-së janë fituar komunat e Arrnit, Ujmishtit  dhe Malziut, ndërsa 3 komuna të tjera janë fituar nga kandidatët e pavarur si Kolshi, Surroji dhe Tërthorja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›