E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD i pergjigjet Rames Gati te ulemi ne tryeze

Në një përgjigje pas apelit të bërë pasditen e sotme nga kreu PS Edi Rama drejtuesve te partive parlamentare, PD bën te ditur se është e gatshme të ulet në çdo tryezë, të diskutojë me PS cdo amendament apo propozim që ajo mund të paraqesë për tekstet e ligjeve kyçe për integrimin, te cilat prej 2 muajsh presin të votohen në Parlament. PD thekson se Edi Rama ne apelin e tij e lidh përsëri votimin e ligjeve në Parlament me situatën e Fierit, gjëra këto, që sipas PD, nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Për më keq,-vijon deklarata e PD- Rama kërkon thirrjen e tryezës politike të partive parlamentare për të zgjidhur problemin e qarkut te Fierit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë dhe për t'i hapur rrugë zbatimit të vendimit të kësaj Gjykate.
PD bën te qarte se ka ofruar zgjidhje politike dhe kushtetuese për Qarkun e Fierit, mocionin për të gjithë këshilltarët e tij, pikërisht atë akt ligjor të cilin Partia Socialiste me këshilltarët e saj e ka ushtruar: në Komunën Dremenas, në prani të ish Kryeministrit Fino në Bashkinë Divjakë, në Komunën Bubullimë, ku ka hequr përfaqësues të shumicës dhe ka zgjedhur z. Alban Mësonjësi, përfaqësues të PS për anëtar të Këshillit të Qarkut, si dhe në Fier Shegan. Në deklaratën e PD thuhet me tej se në çdo vend të lirë demokratik, zbatimi i vendimeve të Gjykatës është një detyrim ligjor kushtetues i Institucionit të Përmbarimit dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit, të cilat funksionojnë vendosmërisht në të gjitha rastet që u kërkohet nga palët e interesuara. Zbatimi i tyre nuk mund të pengohet nga asnjë forcë e vetme politike apo disa forca të mara së bashku, ndaj edhe kjo nuk mund të jetë çështje e një debati tryezash partiake, por është detyrim madhor kushtetues.
PD sqaron, me tej ne deklaratën e saj, se sot në qytetin e Fierit, Gjykata kishte përcaktuar seancën gjyqësore për gjykimin në themel të çështjes së Qarkut të Fierit. Por PS kërkoi shtyrjen për dy javë të tjera të gjykimit të çështjes. PD deklaron se ka bërë çdo gjë për të gjetur zgjidhje ligjore dhe kushtetuese për problemin e Fierit, kurse z. Rama çdo ditë ka kërkuar dhe mbrojtur pretekste absurde për bllokimin e këtyre ligjeve të një rëndësie jetike për integrimin e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›