PD-ja 19 vjeçe, një dokumentar për historinë
Një dokumentar prej 5 minutash risolli dje para 1260 delegatëve të kuvendit kombëtar historinë 19-vjeçare të PD-së. Përmes tij, u bënë të njohura sinjalet e para që çuan drejt krijimit të partisë së parë opozitare në Shqipërinë postkomuniste, prej shkrimeve të botuara nga intelektualë të njohur të asaj kohe, ndër ta dhe Sali Berisha dhe më pas fillimi i lëvizjes studentore të cilat krijuan terrenin e formimit të PD-së më 12 dhjetor të formonin PD-në. Më pas, dokumentari shtjelloi të gjithë ecurinë pozitive të arritjeve të Partisë Demokratike që nga dita e formësimit të saj. Ka qenë sipari i kuvendit kombëtar të kësaj force politike, i cili sapo nisi punimet në mjediset e Pallatit të Kongreseve. I konceptuar nga drejtuesit e tij si një kuvend i fitores historike për Shqipërinë evropiane, gjithçka nisi me një dokumentar, që nga lëvizjet e para dhjetoriste të studentëve, aty ku u projektua rruga drejt pluralizmit dhe shembja e nomenklaturës komuniste, e deri tek fitorja e të parave zgjedhje në vend nga PD-ja, qëndrimi i saj në opozitë, rikthimi në pushtet më 2005 dhe rikonfirmimi në pushtet pas votës së elektoratit shqiptar më 28 qershor. Në këtë dokumentar u shfaqën pamje dhe fakte për të gjitha reformat e kryera gjatë qeverisjeve demokratike dhe ndryshimeve në tërësi të realizuara prej tyre gjatë dy dekadave të fundit. Ndërsa në lidhje me zgjedhjet e fundit thuhet se pas rikonfirmimit si forca politike kryesore në vend, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Partia Demokratike ka krijuar të ashtuquajturën “Qeveri e Integrimit Evropian”, me anë të së cilës inspiron të realizojë shumë shpejt ëndrrën e Shqipërisë për të qenë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. “PD-ja sot ka moshën e rinisë, e atyre studentëve që rrëzuan regjimin diktatorial 19 vite më parë”, - ishte fraza që përmbylli këtë dokumentar për etapat historike të kësaj force politike.