E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, Anglia ratifikon protokollin

TIRANË- Më datën 10 dhjetor, Mbretëresha Elizabeta e Dytë do të firmosë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kjo është konfirmuar dje nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Londër. Gjatë vizitës së saj, Kryetarja e Kuvendit, krahas takimeve me pjesën më të madhe të ministrave të kabinetit Braun, me deputetë të Parlamentit dhe të dhomës së Lordëve, zhvilloi edhe një takim me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të miqësisë Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri, John Grogan. Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të miqësisë deklaroi dje pas takimit me Topallin se, anëtarësimi në NATO është një shenjë pozitive, duke shtuar se Shqipëria do të bëhet pjesë e familjes evropiane. Po dje, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, referoi në një nga universitetet më të njohura të Anglisë, mbi historinë, përpjekjet për demokraci dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO e BE. Në një auditor të përzgjedhur me studentë, intelektualë e përfaqësues të ndryshëm të jetës politike e diplomatike në Londër, Kryetarja e Kuvendit, bëri një ekspoze të historisë së vështirë të kombit shqiptar për pavarësi e liri, në rrjedhën e konflikteve të ashpra në Ballkan, dhe mbijetesës së saj, nga një prej diktaturave më të egra të komunizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›