E Diel, 1 Nëntor 2026

“PD-ja, dakord për ngritjen e një komisioni të posaçëm për monitorimin e zgjedhjeve”

Astrit Patozi ripërsërit angazhimin e mazhorancës për të garantuar zgjedhje të lira

TIRANE - Mazhoranca ka pranuar ngritjen e një komisioni parlamentar për monitorimin e procesit të përgatitjes të zgjedhjeve së ardhshme parlamentare.
Ndërkohë, kundër, këtij angazhimi, është shprehur dje LSI-ja

Qëndrimi i PD-ës
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Astrit Patozi, deklaroi dje se “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike mirëpret nismën e Grupit Parlamentar të PS, për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm parlamentar, për monitorimin e zgjedhjeve”.
Patozi i është përgjigjur në këtë mënyrë kërkesës së opozitës, e cila gjatë seancës parlamentare të së hënës, nëpërmjet deputeti socialist Kastriot Islami, kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, “ad hoc”, që të mbikëqyrë ecurinë e përgatitjeve për procesin zgjedhor.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, sqaroi se “Zgjedhjet e lira janë prioriteti jonë absolut,  dhe ne, shtoi ai, e konsiderojmë kërkesën e opozitës për të pasur më shumë akses në monitorimin e infrastrukturës zgjedhore si legjitime dhe si kërkesë të arsyeshme”.
Patozi sqaroi më tej se, “Ky komision duhet të ngrihet nga 2 bashkëkryetar një përfaqësues nga mazhoranca parlamentare dhe një përfaqësues nga opozita”.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në të gjithë Shqipërinë duket se mazhoranca është tërësisht e angazhuar që ato të zhvillohen në qeta dhe në mënyrë demokratike, duke i siguruar votuesve në këtë mënyrë garanci për votën e tyre.

Qëndrimi i LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur dje skeptike për ngritjen e një komisioni parlamentare që do të monitorojë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve dhe që do të drejtohet nga dy partitë e mëdha.
“Përgjegjëse për procesin e pajisjes me karta, që nga momenti kur qytetari hyn e deri në momentin kur qytetari del me kartën e identitetit apo pasaportën biometrike në dorë është vetëm qeveria shqiptare. Edhe në procesin kur diskutohej për hartimin e Kodit Zgjedhor dhe kur ne kemi kërkuar me insistim, jo sot, por që prej një viti, që të fillonte ky proces, të gjitha forcat politike, përfshirë edhe Partinë Socialiste, janë shprehur të qartë e nuk kanë bërë ndonjë gjë të veçantë, kanë thënë atë që thotë ligji, që përgjegjëse e vetme dhe kryesore për këtë proces është qeveria shqiptare dhe çdo anashkalim i përgjegjësive nga qeveria shqiptare dhe krijimi i bashkëpërgjegjësive fiktive, përveçse krijon konfuzion në marrjen e masave, na largon nga një objektiv i vetëm, që është pajisja e gjithë qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, për të realizuar zgjedhjet sipas standardeve”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili.
Numri dy i LSI-së akuzoi PD dhe PS se kanë përgjegjësi shumë të madhe për gjendjen me të cilën po përballen qytetaret në procesin e pajisjes me karta identiteti.
Duke u ndalur te procesi i shpërndarjes së kartave, Sekretari i Përgjigjëm i LSI kërkoi nga qeveria që të miratojë një plan emergjent shpërndarjeje që infrastruktura dhe burimet njerëzore përgjegjëse për pajisjen me karta identiteti të funksionojë në 24 orë.

Reagimi i kreut të PAD-ës Neritan Ceka flet për kartat e identitetit

PS propagandë antikombëtare kundër kartave,
vetë hodhi në Lanë 6 milionë euro

Partia Aleanca Demokratike ka përshëndetur dje fillimin e procesit të shpërndarjes së Kartave të Identitetit, duke e cilësuar këtë proces si nga më të rëndësishmit në integritetin e mëtejshëm të Shqipërisë në institucionet euroatlantike. Presidenti i PAD, Neritan Ceka tha se cilësia e kartave të Identitetit është në avangardë të të gjitha kartave evropiane, i bazuar tërësisht në ligjin e miratuar nga Parlamenti’’.
Më tej ai ka kritikuar ashpër qëndrimet e kohëve të fundit të lidershipit socialist
ndaj këtij procesi jetik.
“Tërheq vëmendjen e propagandës së PS-së që do ta poshtërojë këtë proces , sepse është një propagandë antikombëtare  në momentin që ky proces është një kusht për integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Shqipërisë”, deklaroi Ceka.
Duke ju rikthyer disa viteve më parë, për një projekt të Ben Blushit, për kartat e identitetit, Neritan Ceka, kujtoi se “PS-ja hodhi në lanë 6 milionë eurot e këtij procesi disa vite më parë”.
Në lidhje me vetë procesin Ceka theksoi se PAD ka vetëm një propozim, në përfundimin sa më të mirë të këtij procesi, që të ulet mosha për marrjen e shenjave të gishtërinjve në moshën e pensionit, kjo është e rëndësishme, mund të  evitojë identitetet e dyfishta,
si dhe probleme të shumta teknike që dalin për shkak të moshës .

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›