PD-ja depoziton në Kuvend, kërkesën për komisionin hetimor ndaj Edi Ramës

Nisma e mazhorancës merr rrugë ligjore
TIRANE - Grupi parlamentar i PD-së depozitoi dje në kryesinë e Kuvendit kërkesën për krijimin e një komisioni parlamentar “për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës në periudhën 2007 e në vazhdim”.
Gjatë një komunikimi me mediat, deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri deklaroi se “komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mos dërgimin e planit të ri Rregullues të bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregulluese”.
Komisioni hetimor do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita. Kryetari i tij do të jetë nga grupi politik nismëtar, ndërsa nënkryetari nga opozita.
Veprimtaria e këtij komisioni do të përfshijë një periudhë tre javore nga krijimi i tij, një kohë kjo e mjaftueshme për përfundimin e hetimeve dhe hartimin e raportit.
Është e dyta herë që për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.