E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mazhoranca kërkon votën për vazhdimin e ndryshimi të madh”

Kryeministri Sali Berisha në Maminas

Berisha garantoi biznesin e vogël se do të ketë mbrojtjen e plotë të qeverisë, duke u shprehur se qeveria miratoi ligjin, përmes të cilit nuk lejon të ushtrohet presion i paarsyeshëm mbi bizneset. Biznesi i vogël është gjeneratori më i madh i punësimit në Shqipëri

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje përfundimin e punimeve për shkollën e re 9 vjeçare “Riza Shera”, në fshatin Radë të komunës Maminas, Durrës. Rikonstruksioni i kësaj shkolle është realizuar nga buxheti i shtetit, me një investim prej 30 milionë lekësh.
Kryeministri vizitoi ambientet e shkollës, klasat, laboratorët dhe vlerësoi standardet e punimeve në këtë shkollë dhe mjediset e përshtatshme të krijuara për mësimdhënien. Kryeministri premtoi se qeveria do të vazhdojë investimin për modernizimin e mëtejshëm të arsimit në vend, duke nënvizuar se duke qëndruar  pranë arsimit dhe dijes, qeveria qëndron pranë të ardhmes së kombit. 
Kryeministri garantoi edhe njëherë se brenda mandatit të dytë, në Shqipëri, nuk do të ketë shkollë që të mos rindërtohet, ose ndërtohet nga e para.
“Ne, jemi të vendosur të ngremë gjithnjë e më lartë piedestalin e misionarëve të dijes në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri u ndal gjatë fjalës së tij edhe në investimet e qeverisë për këtë zonë, duke siguruar fermerët e Radës, të Maminasit dhe të të gjitha komunave të kësaj zone, se do të kenë  urbanizim të plotë të zonës së tyre dhe qeveria do të do të financojë çdo projekt të komunave, në mënyrë që infrastruktura e tyre të jetë e njëjtë me infrastrukturën e lagjeve të qyteteve.
Gjithashtu, duke vlerësuar rolin e biznesit të vogël si gjenerator të madh të punësimit në vend, kryeministri nënvizoi se biznesi i vogël do të ketë mbrojtjen e plotë të qeverisë.  “Dje, qeveria miratoi ligjin, përmes të cilit nuk lejon të ushtrohet presion i paarsyeshëm mbi bizneset. Biznesi i vogël është gjeneratori më i madh i punësimit në Shqipëri. Ndaj ne, sikundër kujdesemi për biznesin e madh, do të kemi kujdesin më të veçantë për biznesmenët e vegjël”, vijoi Kryeministri.
Në këtë mandat, theksoi kryeministri mazhoranca ka mbajtur premtimet, por ajo kërkon votën e të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo për ato që ka realizuar deri më sot, por për ato që do të bëjë katër vitet që vijnë.
“Ne kërkojmë votën për të vazhduar ndryshimin e madh që kemi nisur”, tha Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›