PD-ja hap sot fushatën, ora 19:00 në sheshin “Skënderbej”
Partia Demokratike hap sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Sot në sheshin “Skënderbej”, në orën 19:00, Kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga 140 kandidatët për deputetë, do të hapin fushatën për 28 ditët në vijim. Ndërkaq, edhe stafi brenda PD-së është marrë me detajet e kësaj ceremonie. Me mijëra ftesa elektronike janë shpërndarë për qytetarët, duke i ftuar ata që të marrin pjesë në hapjen e fushatës së fitores. Ndërkaq, kjo hapje fushate do të shoqërohet me një koncert madhështor, ku do të marrin pjesë artistët më në zë të momentit, si grupi Elita 5. “Eja, për t'iu bashkuar mijëra qytetarëve që kanë zgjedhur të bëhen pjesë e ndryshimit te nisur! Së bashku do të realizojmë ëndrrat dhe synimet më të mëdha. Konfirmo mbështetjen tënde! Festa e fitores do të nisë me një koncert të madh, ku janë të ftuar Bojken Lako, Çiljeta, Elita 5, Soni Malaj! Merr pjesë në festën e ndryshimit të Shqipërisë! Sinqerisht, Partia Demokratike e Shqipërisë”, - thuhet në ftesat e dërguara nga PD-ja për të gjithë qytetarët shqiptarë.