E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, PS vendos sot për kartat

Skadon afati që PS-ja i kishte vënë në dispozicion Ministrisë së Brendshme. Sot mblidhet sekretariati ekzekutiv për të vendosur mbi qëndrimin që do të mbahet


TIRANË- Ka skaduar dje afati që Partia Socialiste i kishte vënë në dispozicion Ministrisë së Mbrojtjes për të paraqitur të dhënat zyrtare mbi ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve pa pasaportë me karta identiteti.


Korrespondenca shkresore e shkëmbyer për gati një javë mes selisë rozë dhe Ministrisë së Brendshme, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme dhe tashmë socialistët pritet të marrin vendimin e tyre lidhur me këtë proces, në veçanti, dhe me procesin zgjedhor, në përgjithësi.


Burime pranë selisë rozë kanë konfirmuar dje se, lidhur me këtë çështje, pritet të mblidhet sot sekretariati ekzekutiv i partisë, i cili do të analizojë situatën në bazë të të dhënave që ka vënë në dispozicion Ministria e Brendshme dhe për të vendosur më pas dhe qëndrimin që do të mbajnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit.

Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, ka pohuar dje për "Shekulli"-n se PS-ja do të vendosë për qëndrimin e saj të mëtejshëm vetëm pasi të ketë analizuar edhe ato të dhëna të paraqitura nga ekzekutivi gjatë këtyre ditëve, megjithëse ai i konsideron ato jo të plota.


Megjithatë, pa dashur të paragjykojë vendimmarrjen, ai bën të ditur se asnjë nga opsionet, përfshi këtu edhe mospjesëmarrjen në zgjedhje, nuk përjashtohet.


Ndërkohë, në letrën e dërguar dje, Islami sqaron edhe njëherë se të dhënat e kërkuara do të shërbejnë për të qartësuar situatën lidhur me votuesit që zotërojnë pasaportë, votuesit që kanë aplikuar dhe votuesit që kanë aplikuar e zotërojnë letërnjoftim, të dhëna që zotërohen nga MB-ja.


Përmes kësaj shkrese, PS-ja kërkon të marrë një përgjigje përfundimtare, të plotë e të saktë për kërkesat e saj.


Konkretisht, në letrën e dërguar, PS-ja kërkon listën elektronike, me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numër pasaporte të votuesve me pasaportë të vlefshme, e dhënë kjo që duhet të jetë e përditësuar me të dhënat deri në datën 28 maj 2009; listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numrin e aplikimit të 1 .013.359 aplikantëve për letërnjoftim, si dhe listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numër të aplikimit të të gjithë aplikantëve që kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhënat e datës 28 maj 2009.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›