Fushata, partitë do të tregojnë donacionet private
Çdo qytetar është i lirë të kontribuojë duke dhuruar fonde për partinë politike që ai dëshiron të fitojë zgjedhjet, por ndryshe nga herët e tjera, këto zgjedhje do të kenë transparencën e dhuruesve. Në çdo zgjedhje kanë qenë të lejuara donacionet private për partitë politike, sidomos në kohë fushatë, por në herët e kaluara, partitë janë kritikuar për mostransparencën në dhurimin e fondeve. Në këto zgjedhje, duket se shqiptarët do të mund të kontribuojnë për partinë e tyre të preferuar si në zgjedhjet e SHBA-ve, ku çdo qytetar, edhe në shuma minimale, dhuron për kandidatët presidencialë fonde në kontot bankare.
Sot mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do të miratojë një regjistër të veçantë, të cilin do ta përdorë çdo parti, ku do të shënohen fondet e dhuruara nga çdo subjekt privat ose individ. Njëkohësisht KQZ-ja do të miratojë sot deklaratën tip, të cilën duhet ta nënshkruajë çdo dhurues. Ndryshe nga herët e tjera, çdo parti do të ketë një llogari bankare publike, ku qytetarët mund të dhurojnë fonde edhe në mënyrë elektronike. Lista e dhuruesve është publike dhe në sitin zyrtar të KQZ-së do të jenë edhe llogaritë bankare të çdo partie politike që garon në këto zgjedhje.
Por edhe pse ka shumë lehtësi, ka edhe shumë kritere të posaçme për dhurimin e fondeve të cilat janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Kështu, një qytetar nuk mund të dhurojë më shumë se 100 mijë lekë të reja për një parti, ndërsa një biznes nuk mund të dhurojë më shumë se 1 milion lekë të reja.
“Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së”, - thuhet në Kodin Zgjedhor. Njëkohësisht, partitë mund të financohen edhe nga biznese, por me disa kushte. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij, nëse ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme, si: ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë; ushtron veprimtari në fushën e medias; ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme; ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike. Çdo parti duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat në ligj, ndryshe, mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.
Ndërkaq, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të tërheqin gjysmën e fondit prej 65 milionë lekësh të reja nga buxheti i shtetit që jepen për fushatën elektorale. Sipas Kodit Zgjedhor, pjesën më të madhe të shumës prej 65 milionë lekësh e marrin partitë parlamentare. Ndërkaq, pjesa tjetër e fondit ndahet në bazë të mandateve që partitë kanë në Kuvend, kjo, e sanksionuar në Kodin Zgjedhor.