Letra e PS, përgjigjet Pone: Procesi po ecën normalisht
Ministria e Brendshme vë në dispozicion të PS-së vetëm një pjesë të listave
TIRANË- Ashtu si PS-ja, edhe zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, ka vendosur të bëjë publike letrën e dërguar zyrtarisht, sekretarit për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami.
Në letrën që vazhdon ta dërgojë Pone dhe jo ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, qeveria bën më dije se deri me datë 29 maj 2009, kanë aplikuar 1.149.211 votues. "Ne, për të verifikuar sa prej tyre janë nga grupi i atyre pa pasaportë kemi hedhur në sistemin e kontrollit deri ditën e djeshme vetëm 1.012.905 rekorde, nga të cilat rezulton se 418.956 janë nga grupi i atyre pa pasaportë.
Krahasuar me përqindjen që zë numri i aplikimeve të votuesve pa pasaporte kundrejt numrit total të aplikimeve të hedhura në sistem dhe duke marrë parasysh numrin total të aplikimeve të kryera deri më tani, pritshmëria për votuesit pa pasaportë dhe që kanë aplikuar deri më 29 maj 2009, është më shumë se 460.000 votues",- thuhet në letrën e Pones.
Zv/ministri i Brendshëm sqaron se kapacitetet e instaluara lejojnë pajisjen me letërnjoftim të gjithë votuesve pa pasaportë që do të paraqiten për të aplikuar deri më datën 15 qershor 2009.
Duke siguruar se Ministria e Brendshme mbetet maksimalisht e angazhuar për të siguruar ecurinë maksimale të procesit, zv/ministri i Brendshëm i ka dërguar PS-së listën emërore të votuesve pa pasaportë, të cilët kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik; listën emërore të votuesve pa pasaportë, të cilët nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftimin elektronik.
"Ju rikonfirmojmë edhe njëherë se, sapo ta kemi nga koncensionari listën e votuesve pa pasaportë që kanë tërhequr letërnjoftimin, do t'ua vëmë në dispozicion, gjithashtu", - thuhet në letrën e dërguar, material ky që nuk është i plotë, nisur nga kërkesat që PS-ja pati për listat.