E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet e BE-së nisin vlerësimet për heqjen e vizave



Vendet e Bashkimit Evropian pritet të shfaqin në fillim të kësaj jave vlerësimet e ardhura nga Komisioni për ecurinë e vendeve të Ballkanit për realizimin e kritereve që do të bëjnë të mundur heqjen e vizave. Michele Cercone, zëdhënës i zv.presidentit të KE-së për Siguri, Liri e Drejtësi, tha dje se Komisioni Evropian ka paraqitur qëndrimin për zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit. Sipas tij, tashmë është momenti që vendet anëtare të japin mendimet e tyre si dhe të shprehin vlerësimet e tyre në lidhje me zbatimin e kritereve. "Komisioni paraqiti qëndrimin për zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Bosnjën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Tashmë vendet anëtare duhet të japin reagimin e tyre, si dhe të argumentojnë se ku bazohet ky reagim i tyre, në mënyrë që ne t’i konsiderojmë të përfunduara këto raporte. Kjo do të thotë se pjesët faktike dhe vlerësuese që duhen bërë nga Komisioni, do të quheshin të përfunduara. Në këtë fazë, raportet do të dërgohen ndaj vendeve të treta të interesuara”, - deklaroi Michele Cercone. Drafti për rekomandimin mbi heqjen e vizave po hartohet nga Drejtoria e Përgjithshme për Çështjet e Sigurisë, i cili merr në konsideratë dhe sugjerimet e mundshme të 39 drejtorive të të njëjtit nivel ne Komision. Amendamenti i Komisionit do të dorëzohet pas një muaji. Komisioni do të shpjegojë ndryshimet për aneksin e parë, ku përfshihen vendet për të cilat do të mbahet regjimi i vizave, dhe aneksin e dytë, i njohur si listë e bardhë Shengen, që do t’u mundësojë këtyre vendeve për të udhëtuar në Evropë pa viza, për një periudhë jo më shumë se 3 muaj. Përpara se rekomandimi i Komisionit të votohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, Parlamenti duhet të japë opinionin e tij. Vlerësimi i komisioneve të nevojshme parlamentare do të shprehet vetëm pas pushimeve verore, pasi pas zgjedhjeve evropiane, Parlamenti ka në axhendë vetëm dy mbledhje me axhendë teknike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›