Kompensimi financiar i pronave, kush favorizohet
Brenda kësaj jave pritet të nisë aplikimi për kompensimin financiar të ish-pronarëve, ku janë në dispozicion rreth 6 milionë dollarë. Vendimi i qeverisë për ndarjen e këtij fondi i bën të qarta kriteret, të cilat përcaktojnë përfituesit e këtij fondi. Kështu, duke iu referuar vendimit të qeverisë, i cili nuk ka shumë ndryshim nga vendimi dhe përvoja e vitit të kaluar, përcaktohet se kompensim financiar do të ketë për ish-pronarët që aplikojnë për kompensim financiar deri në 200 metra katrorë.
Nisur edhe nga përvoja në përcaktimin e fituesit të këtij fondi, ish-pronarët që kanë aplikuar më herët, do të jenë më të favorizuar për të fituar. Kështu, në rast se një ish-pronar ka aplikimin para datës 26 korrik 1995, do të ketë më shumë shanse. Njëkohësisht, askush nga aplikuesit nuk duhet të ketë përfituar më parë ndonjë kompensim financiar si dhe nuk duhet të ketë ndonjë kthim prone nga ish-Komisioni apo nga Agjencia e sotme e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Parashikohet që edhe përfituesit e ndonjë toke me ligjin 7501 nuk duhet të përfshihen në listën e përfituesve, madje edhe trashëgimtarët e tyre nuk duhet të kenë përfituar ndonjë tokë me këtë ligj të vitit 1991. Një kriter i domosdoshëm është edhe dokumentacioni dhe veçanërisht hartografia e tokës. Në përfundim të kompensimit të vitit 2008, ku përfituan 160 ish-pronarë nga 740 që aplikuan, mbetën jashtë aplikimit shumë ish-pronarë, të cilët i plotësonin kushtet. Këta aplikues do të jenë të favorizuar në ndarjen e fondit të këtij viti.
Të gjitha këto kritere janë bërë në mënyrë që përfituesit e këtij fondi të jenë ish-pronarët të cilët gjatë viteve të tranzicionit nuk kanë arritur të përfitojnë asgjë. Në rast se mes dy ish-pronarëve që kërkojnë kompensim për një tokë deri në 200 metra katrorë, por që njëri prej tyre ka marrë një kthim prone vite më parë, ndërsa i dyti nuk ka marrë asgjë, ky i fundit është përfitues, duke e krahasuar me të parin.
Ndërkaq, vendimi i ri i qeverisë ka bërë të mundur që të lehtësojë procedurën. Ne vitet e mëparshme, gjatë procesit të aplikimit, ish-pronari duhet të shkonte në çdo zyrë shteti përkatëse që të verifikonte dokumentacionin, ndërsa tashmë, me vendimin e ri këtë punë e bën administrata e AKKP-së në bashkëpunim me ZRPP-në. Subjekti ka detyrimin që të sjellë vendimin përkatës bashkë me hartën. Në përfundim të depozitimit të dokumentacionit përkatës, të gjitha verifikimet i përkasin administratës së AKKP-së. Kjo do të bëjë të mundur që qytetarët të mos sorollaten më nëpër zyrat e shtetit për të verifikuar dokumentacionin apo pretendimin e tyre, por do ta bëjë vetë administrata e AKKP-së. Mendohet se në mesin e muajit korrik do të ndahet fondi prej 6 milionë lekësh ose rreth 6 milionë dollarë për fituesit e kompensimit.
Kush favorizohet
1- Ish-pronarët të cilët kanë paraqitur vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 26 korrik 1995.
2-Ata që nuk kanë pasur më parë vendime për kthime pronash.
3-Ata që nuk kanë përfituar tokë me ligjin 7501, ata vetë ose një pjesë e trashëgimtarëve të tyre.
4-Ata që nuk kanë probleme në vërtetimin e dokumentacionit, veçanërisht hartografisë.
5-Ata që nuk kanë mungesa në dëshmitë e trashëgimisë.
6-Ata që nuk kanë përfituar nga ndonjë kompensim tjetër financiar.
7-Ata që kanë deri në 200 metra katrorë.
8-Ata që nuk arritën të përfitonin nga viti i kaluar, ndonëse plotësonin kriteret.
Formulari i ri i aplikimit
Vendimi i fundit i qeverisë miratoi një formular të veçantë që thjeshtëson punën mes AKKP-së dhe ZRPP-së. Formulari ka titullin “Modelar i konfirmimit të gjendjes juridike të pronës për kompensim”, që duhet të plotësohet nga zyrat rajonale të AKKP-ve dhe zyrave vendore për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Ky formular shërben për marrjen e verifikimit nga ZRVPP-të mbi gjendjen e pronësisë së subjektit të shpronësuar që aplikon për t’u kompensuar, për fondin prej 600 milionë lekësh të reja. Modelari përmban katër pika gjithsej që do të verifikojnë vlefshmërinë e aktit të pronësisë që ish-pronari ka paraqitur fillimisht në AKKP për të aplikuar për kompensimin financiar të vitit 2009. Në pikën 1 është përcaktuar që zyra e Hipotekës të shprehet për vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës. Në pikën 2, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur. Në pikën 3, ZRVPP-ja duhet të verifikojë nëse subjekti i shpronësuar apo trashëgimtari i tij ka regjistruar ushtrimin e së drejtës së parablerjes. Në pikën e katërt duhet të verifikohet nëse subjekti i shpronësuar ka regjistruar pronë të përfituar me kthim nga vendimet e tjera të ish-KKKP-ve, pranë ish-këshillave të rretheve të bashkive apo ZRKKP-ve në qarqe, në emër të tij.