E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PD-ja ka realizuar premtimet,meriton një mandate të dytë”

Flet Ferdinand Poni, Zëvendësministri i Brendshëm

“Buxheti i rrëzuar i bashkisë së Tiranës, përfaqësonte sëmundjen elektorale të Ramës dhe ishte një buxhet që nuk i përkiste aspak qytetarëve. Rrëzimi i këtij buxheti tregon se pseudokryetari nuk ka më mbështetje, e ka humbur mazhorancën dhe është pozicionuar dukshëm në minorancë. Mund të thuhet se Edi Rama ia vlen të hyjë në librin e rekordeve Gines si kryetar i humbur”

TIRANE - Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, fletë rreth procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti duke e konsideruar këtë fakt edhe si realizimin e ëndrrës së shqiptarëve. Zëvendësministri është duke e inspektuar drejtpërsëdrejti realizimin e këtij procesi, dhe shprehet se ai ka një ecuri intensive dhe pozitive. Sipas tij, pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike ka një ndikim pozitiv edhe në realizimin e zgjedhjeve elektorale të rregullta. Pajisja e qytetarëve me karta të reja identiteti është një nga standardet që do të mundësojnë realizimin e zgjedhjeve elektorale sa më të mira.
Si kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në këshillin bashkiak, Poni thekson se buxheti i rrëzuar ishte një buxhet defektoz që nuk reflektonte aspak përmbushjen e interesave të qytetarëve por që ishte plotësisht në shërbim të interesave elektorale të pseudokryetarit. Rrëzimi i këtij buxheti tregoi se Rama nuk gëzon mbështetje, u pozicionua dukshëm në minorancë dhe do të futet në librin Gines si kryetar i humbur. Gjithashtu, sipas Ponit nëse bëhet një krahasim i pikave të paraqitura në programin elektoral të PD-së dhe atyre që janë realizuar në këto vite qeverisje vihet re një mbajtje e premtimeve. Pra, ndryshimet pozitive janë realizuar dhe për këtë arsye PD-ja e meriton një mandat të dytë.

Realizimi i reformës elektorale dhe miratimi i një sistemi të ri elektoral me një konsensus të gjerë, janë garanci e realizimit të zgjedhjeve elektorale të rregullta. Ndërsa pajisja e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti është një tjetër faktor i rëndësishëm që i rrit pozitivitetin kësaj garancie. Çfarë mendoni ju në lidhje me këtë fakt?
Realizimi i reformës elektorale tregon që tranzicioni mbaroi. Dy faktorë të rëndësishëm lidhen me faktin që reforma elektorale është një reformë e cila u realizua me një konsensus të gjerë dhe në kohë, në kuptimin që u realizua në një afat relativisht të gjatë para zgjedhjeve të reja elektorale. Këto dy premisa dhe ndryshimi i sistemit janë tre kushte paraprake që iu dhanë vendit për realizimin e zgjedhjeve të mira. Por për realizimin e zgjedhjeve të mira ka edhe disa standarde të tjera siç janë logjistika dhe mirëfunksionimi i procesit në tërësi. Logjistika, pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike përbën edhe realizimin e ëndrrës së shqiptarëve dhe ndihmon në integrimin e Shqipërisë. Pajisja me karta identiteti sigurisht që do të mundësojë zgjedhjet më të mira të mundshme por kjo është e lidhur edhe me sjelljen e partive politike, komisionit zgjedhor që shpresoj të veprojnë me përgjegjësi.  

Si po ecën procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e reja të identitetit?
Ky proces po ecën me shumë intensitet, ka një ecuri pozitive. Me një bashkëpunim të kompanisë koncensionare dhe qytetarëve si dhe në mbikëqyrjen e Ministrisë së Brendshme ky proces do të eci me shpejtësi drejt përmbushjes së detyrës.

Ç’mund të thoni për votimin kundër, të këshilltarëve të djathtë dhe për rrëzimin e buxhetit të bashkisë së Tiranës?
Pas dy mbledhjeve të këshillit bashkiak u bë rrëzimi i këtij buxheti pasi ai ishte një buxhet defektoz, një buxhet që synon të përmbushë qëllime elektorale, një buxhet që reflektonte paragjykime, mungesën e dëshirës për realizimin e një buxheti publik dhe që favorizonte miqtë dhe shokët e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Ky buxhet përfaqësonte sëmundjen elektorale të Ramës dhe ishte një buxhet që nuk i përkiste aspak qytetarëve. Rrëzimi i këtij buxheti tregon se pseudokryetari nuk ka më mbështetje, e ka humbur mazhorancën dhe është pozicionuar dukshëm në minorancë. Mund të thuhet se Edi Rama ia vlen të hyjë në librin e rekordeve Gines si kryetar i humbur.

A mendoni se suksesi i qeverisjes së këtyre viteve dhe tërësia e reformave të realizuara dhe atyre në proces e sipër do të mundësojnë marrjen e një mandati tjetër për PD-në dhe aleatët e saj?
Siç e thotë edhe kryeministri Berisha, ne jemi vetë ndryshimi. Shqipëria është kthyer në një kantier të gjallë ndërtimi. Është realizuar një përmirësim i infrastrukturës për sa i përket ndërtimit dhe rinovimit të rrugëve urbane, suburbane dhe rurale. Qeveria ka një program të qartë për administratën, qytetarët, për luftën kundër korrupsionit, për ish pronarët, për të përndjekurit politikë. Të gjitha këto realizime synojnë veçanërisht edhe përmbushjen e standardeve evropiane. Në qoftë se do të bëhet një krahasim apo analizë e programit të paraqitur nga PD-ja vihet re se ato që i kemi premtuar i kemi realizuar dhe kjo reflektohet te të gjitha ndryshimet. Për këtë arsye PD e meriton një mandat të dytë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›