“Gjyqtarët e Kushtetueses të mësojnë nga kolegët e Gjykatës Supreme në SHBA”
Aldo Bumçi flet për konfliktin e interesit që pengon Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar ligjin e dosjeve
TIRANE - Duke iu referuar kritereve të rezolutës së Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, mbi bazën e të cilave orientohet sjellja e gjyqtarëve, në rastet kur këta të fundit kanë konflikt interesi, deputeti i PD-së Aldo Bumçi ka komentuar debatin më të fundit që ka prekur Gjykatën tonë Kushtetuese, më konkretisht anëtarët e saj, të cilët duhet të shqyrtojnë ligjin e dosjeve.
Deputeti i PD-së Aldo Bumçi përmes një konference për shtyp ditën e djeshme ka komentuar konfliktin e interesit mes Gjykatës Kushtetuese e cila shqyrton ligjin “Për pastërtinë e ish zyrtarëve të lartë”.
Lidhur me këtë ish ministri i Drejtësisë i është referuar edhe një një rasti të ngjashëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , duke u shprehur se, “Konfliktet e interesit, financiare dhe personale te 4 gjyqtarëve të Gjykatës Supreme e lanë gjykatën pa kuorum dhe të paaftë për të vendosur nëse do të merrnin në shqyrtim një ankesë të depozituar kundër më shumë se 50 kompanive të cilat kanë bërë biznes në Afrikën e Jugut në kohën e aparteidit. Çfarë thotë ligji për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë? Neni 72, pika 2 e ligjit thotë: Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve. Kjo është që të respektosh shtetin ligjor brenda kornizave të ligjit” është shprehur Bumçi në fjalën e tij.
Gjithashtu Bumçi ka theksuar se gjyqtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm në çdo kohë për detyrën e tyre, për të mbajtur lart qëndrimin dhe reputacionin e gjykatës.
Duke iu referuar Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut që sipas tij është një nga institucionet më të rëndësishme të kontinentit Evropian, Bumçi theksoi se “Vendimet e saj kanë autoritet mbi kombëtar mbi sistemin gjyqësor të vendeve anëtare, pra për të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Evropës”.
Debati që ka përfshirë së fundmi disa nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të përfshirë në konflikt interesi, erdhi pas miratimit të ligjit për lustracionin dhe deklaratave të bëra së fundmi nga opozita, e cila ka deklaruar se do ta çojë këtë ligj në këtë institucion, me pretendimin se ligji i kaluar në parlament me votat e mazhorancës, prek disa norma të Kushtetutës.
Ndërkaq në këtë debat, së fundmi janë përfshirë dhe juristët, të cilët janë shprehur se dhe në rastin e ligjit të lustracionit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë në konflikt interesi me këtë ligj për shkak të veprimtarisë së tyre, gjatë sistemit komunist duhet të japin dorëheqjen nga shqyrtimi i tij.