E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja nis presionet për të marrë mandatet e fitores në qarkun e Fierit

Shtohen tensionet në qendrat e numërimit. Bllokohet procesi në disa KZAZ. Socialistët akuzojnë kandidatët e PD-së dhe zyrtarët e shtetit për presione

Të gjitha strukturat e shtetit kanë zbarkuar mbrëmë në Fier në përpjekjen për të marrë mandatet që do të sjellin fitoren e maxhorancës aktuale, duke mbajtur peng shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve. Ky qark ka 17 mandate dhe e majta pretendon që të rrisë numrin e deputetëve të saj në Parlamentin e ardhshëm. Deri në orët e vona socialistët ishin në avantazh me 9 mandate. Po ashtu, LSI-ja ka marrë një mandat, ndërsa PD-ja pretendon se ka fituar 6 mandate. Por të dhënat flasin për një rezultat më të lartë të PS-së. Frika për manipulime të procesit ka shtuar praninë e vëzhguesve të huaj. Ndonëse ka një avantazh të dukshëm të Partisë Socialiste, sërish aty ka pasur tensione. Disa incidente kanë ndodhur gjatë gjithë ditës së djeshme. Në ekipin Olldashi është bashkuar edhe drejtuesi i Shtabit Elektoral të PD-së në Vlorë dhe njëherësh nënkryetar i PD-së, Astrit Patozi. Socialistët që drejtohen nga deputeti aktual Gramoz Ruçi kanë denoncuar deputetët e PD-së se po ushtrojnë presione ndaj komisionerëve. Burimet pohuan se janë regjistruar tensione edhe në qytetin e Lushnjës, ku është mbajtur peng për disa kohë shpallja e rezultatit nga komisionerët e PD-së dhe të PR-së. Pas pretendimeve të tyre mësohet se janë ndërruar komisionerët e KZAZ-ve. Po ashtu thuhet se grupe militantësh të dy partive kanë dalë në sheshe duke shkaktuar situata të tensionuara.
Numërimi
Mbrëmë ka mbaruar procesi i numërimit në Patos, Mallakastër dhe në Lushnjë, por këtu është bllokuar procesi përfundimtar për shkak të largimit të komisionerëve. Mbrëmë thuhet se ka përfunduar edhe numërimi i kutive të fundit në Fieri. Probleme ka pasur edhe në fshatin Libofshë, ku mbrëmë u vonua për disa orë numërimi i kutisë së fundit.
Mungesa e procesverbaleve dhe e formularëve ku hidhen të dhënat ka bërë që të bllokohet procesi i numërimit në 6 komuna të bashkisë së Rrogozhinës të martën pasdite. Bëhet e ditur se nga 66 kuti në total kanë mbetur ende pa u numëruar 11 qendra votimi, nga të cilat 3 paraqiten me probleme.
Procesi
Ditën e diel u zhvillua procesi i votimit në qarkun e Fierit, i cili ka 7 komisione zonale zgjedhore. Procesi eci relativisht qetë, ndonëse u shënuan disa incidente, të cilat u konstatuan edhe nga ekspertët. Konfliktet vazhduan edhe gjatë ditës së hënë. Në Roskovec të Fierit një 20-vjeçar është plagosur me thikë nga një 38-vjeçar, pasi ai foli me një kompani të Exit Poll-eve për votën e tij. Ky ka qenë shkaku banal që i riu ra pre e agresorit. Në fillim të muajit maj u vra njëri nga deputetët socialistë të qarkut, zoti Fatmir Xhindi, ku ende nuk janë identifikuar apo ndaluar autorët e këtij krimi nga policia. Familja ka kërkuar nga shteti të gjenden autorët. Djali i deputetit të vrarë, Anduel Xhindi, është futur në listat e PS-së në garën për zgjedhjet e 28 qershorit.

DEPUTETËT E SIGURT TË PS-së
Gramoz Ruçi
Ermelinda Meksi
Albert Çaçi
Fatos Tushe
Armando Subashi
Bashkim Fino
Ervin Koçi
Arben Çuko
Piro Lutaj

DEPUTETËT E SIGURT TË PD-së
Sokol Olldashi
Ilir Bano
Mesila Doda
Enkelejd Alibeaj
Vasillaq Ngresi
Fatos Beja

DEPUTETËT E SIGURT TË LSI-së
Dritan Prifti

INCIDENTET DITËN E VOTIMIT
07:30 Fier
Komisionerët e tre fshatrave të qarkut të Fierit kanë refuzuar të tërheqin materialet zgjedhore në shenjë proteste për mungesë investimesh. Këta 2000 banorë të 3 fshatrave të komunës Portez e kanë argumentuar bojkotimin e tyre për votimet si shenjë proteste për rrugën e dëmtuar.

Ora 09:00 Fier
Në komunën Levan të Fierit në disa qendra votimi listat e zgjedhësve nuk kanë pasur vulën e kreut të komunës duke shkaktuar kështu vonesa. Ndërsa në disa qendra të tjera informohet se nuk votohej ende.

11:00 Fier
Votim skandaloz në një qendër zgjedhore në komunën Dermenas, pak kilometra larg qendrës së qytetit të Fierit. Mediat kanë transmetuar pamjen ku tregohej si mungonte dhoma e fshehtë votimi, ku votuesve nuk u lyhet gishti me bojë.

14:00 Fier
Kërcënohet me armë komisioneri socialist në fshatin Rruzhdie të Fierit. Partia Socialiste, pas këtij incidenti, ka bërë kallëzim penal për rastin në fjalë. Mësohet se janë nisur hetimet për të zbardhur më tej ngjarjen në fjalë.

14.20 Fier
Incident në fshatin Kumanak, pak kilometra larg Fierit. Përqasje mes dy militantëve. Ai i PD-së ndodhet në spital se ka marrë plagë të lehta dhe është dërguar për pak çaste për të marrë ndihmën mjekësore.

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›