E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: “LSI-së i janë vjedhur 50 mijë vota në të gjithë Shqipërinë”



Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka deklaruar se Lëvizjes Socialiste për Integrim i janë grabitur më shumë se 50 mijë vota në të gjithë Shqipërinë. Sipas Vasilit, një gjë e tillë ka ndodhur në kushtet kur Kodi Zgjedhor i ka hequr mundësinë LSI-së që të ketë komisionerët e saj në qendrat e votimit dhe në qendrat e numërimit të votave. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se të gjitha këto manipulime janë të dokumentuara dhe se LSI-ja ka informuar OSBE-ODHIR-in dhe vëzhguesit e huaj për këto probleme. Ndërkohë, edhe kreu i KDK-së së LSI-së, Edmon Haxhinasto, gjatë një konference të djeshme për shtyp, denoncoi disa raste që kishin të bënin me manipulime të pastra gjatë procesit të numërimit të votave. Sipas Haxhinastos, janë konstatuar rezultate absurde, të cilat e nxirrnin LSI-në me zero vota, pikërisht në KAZA-të 19, 20 dhe 23 të qarkut të Fierit. Sipas tij, në këto qarqe, LSI-ja jo vetëm ka prezencë substanciale të anëtarësisë së saj, por në këto zona jetojnë me familjet e tyre edhe një numër i konsiderueshëm i kandidatëve të saj për deputetë në qarkun e Fierit. “Në problem tjetër shqetësues është vënë re në Njësinë Nr. 1 në Tiranë, ku është vënë re fenomeni ku në kutitë e votimit në shumicën e tyre ka rreth 30-40 fletë votimi të pashkruara dhe ka pasur përpjekje që ato të ndahen 50 me 50, midis PD-së dhe PS-së, dhe sigurisht arsyeja pse bëhet kjo është evidente për të pasur një rritje artificiale të tyre në krahasim me partitë e tjera që konkurrojnë aty, sigurisht në raportin e përqindjes që kanë këto parti, PD dhe PS, me partitë e tjera”, - tha Haxhinasto.

1 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›