PD-ja miraton e vetme tre kandidatë për ambasadorë, PS-ja kundërshton: Janë emërime politike
Partia Demokratike ka miratuar e vetme dje, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, tre propozimet e qeverisë për ambasadorë të Shqipërisë në Gjermani, Serbi e Portugali. Gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit, anëtarët e PD-së vlerësuan dhe miratuan kandidaturën e Shpëtim Çaushit si ambasador i Shqipërisë në Serbi, Valter Ibrahimit ambasador në Gjermani dhe Edmond Krakës ambasador në Portugali. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i vlerësoi kandidaturat duke i cilësuar individë me kontribute në fushën e Drejtësisë. Sipas Mustafajt, emërimi i ambasadorëve do të zhbllokojë vakuumin e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në mjaft vende të Europës, por në veçanti në Beograd. Ndërsa Neritan Ceka, duke ironizuar mungesën e anëtarëve të PS-së, u shpreh se deputetët e PS-së nuk kanë kritika për kandidatët e përzgjedhur ndaj kanë braktisur mbledhjen e komisionit. Por fill pas mbledhjes së Komisionit ka reaguar deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, e cila ka kundërshtuar emërimin e ambasadorëve të rinj vetëm tre muaj para zgjedhjeve parlamentare. Dade ka bërë të ditur se PS-ja ka kërkuar shpeshherë që ministri i Jashtëm të japë informacion në Komisionin e Jashtëm Parlamentar për emërimet dhe arsyet e shkarkimit të ambasadorëve si dhe arsyet e mbetjes vakant prej 10 muajsh të posteve të ambasadorëve në mjaft vende.
“Ne kemi kërkuar mirëkuptimin e mazhorancës dhe pikërisht të kryetarit të Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, që të mos e zhvillonte seancën dëgjimore lidhur me emërimin e ambasadorëve edhe për arsyen e thjeshtë se ka vetëm 3 muaj deri në momentin që do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme dhe kryeministri aktual nuk mund të emërojë ambasadorë, të cilët presupozohet se do të përfaqësojnë shtetin”, - është shprehur Dade, ndërsa ka theksuar se është i nevojshëm hartimi i një skeme të funksionimit të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë. “Përfaqësuesit e PS-së në Komisionin e Jashtëm kanë kërkuar praninë e ministrit të Jashtëm, Basha, jo vetëm për problemin e emërimit të ambasadorëve, duke patur shkelje ligjore tashmë të bëra publike edhe në raste të tjera emërimesh ambasadorësh, por edhe për një sërë dukurish në shërbimin tonë diplomatik, siç janë rastet e korrupsionit në përfaqësitë tona diplomatike apo në zyrat konsullore”, - është shprehur Dade. Ajo ka shtuar se PS-ja do t’i kërkojë Presidentit të Republikës të mos i dekretojë emrat për ambasadorë.
11 Shkurt 2009