Shoqatat e ndërtuesve kundër ndryshimeve të qeverisë në ligjin “Për urbanistikën”
Shoqatat e ndërtuesve janë shprehur kundër ndryshimeve të qeverisë në ligjin “Për urbanistikën”. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese janë marrë në shqyrtim ndryshimet e propozuara nga qeveria në ligjin “Për urbanistikën”. Përfaqësuesi i qeverisë, Flamur Kuçi, bëri të ditur në komision se projektligji parashikon shkurtimin e afatit për dhënien e një leje ndërtimi si dhe aplikimin e parimit të pranimit të heshtur të lejes së ndërtimit në rastet kur tejkalohen afatet e parashikuara në ligj nga bashkitë e komunat. Kuçi ka shpjeguar më tej se pranimi i heshtur i lejeve nuk vlen për Këshillin e Rregullimit të Territorit, por për zyrën teknike të bashkive dhe komunave. Kjo ka nxitur reagimin e ndërtuesve, të cilët janë shprehur kundër projektligjit pasi sipas tyre ky ndryshim i propozuar nuk zgjidh problemin e vonesave në dhënien e lejes së ndërtimit. Sipas tyre, edhe në rast se zyra teknike nuk kalon brenda këtij afati dosjen për miratim, atëherë ajo quhet e mirëqenë dhe kalon në KRRT. Por projektligji nuk parashikon asnjë detyrim për miratimin e lejeve të ndërtimit nga Këshillat e Rregullimit të Territorit. Përfaqësuesit e qeverisë kanë deklaruar se projektligji i urbanistikës parashikon vetëm një rregullim të përkohshëm të problemit të lejeve të ndërtimit, pasi sipas tyre së shpejti do të kalojë për miratim projektligji për planifikimin e territorit në të cilin do të përcaktohen sanksione në rast të mosmbledhjes se KRRT-ve sipas afateve ligjore.
11 Shkurt 2009