E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporterët e KE-së japin sot konkluzionet për dosjet, për Biberajn dhe situatën parazgjedhore



Dy raporterët e Këshillit të Europës, David Uilshire dhe Jako Lakso, në ditën e dytë të vizitës në Tiranë kanë takuar kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas një takimi prej gati një orësh në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka marrë tre ankimime për ligjin e dosjeve, dy raporterët kanë bërë të ditur për median se sot në mesditë do të japin konkluzionet e tyre për çështjet e diskutuara me faktorët politikë shqiptarë. Ata kanë bërë të ditur se në qendër të takimeve ka qenë marrja e informacionit për ligjin e dosjeve, shkarkimin e Biberajt, përgatitjen e procesit zgjedhor si dhe marrëdhëniet e qeverisë me mediat. Gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, Topalli ka bërë një ekspoze mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, mbi bazën ligjore dhe infrastrukturore të tyre. Ajo ka vlerësuar frymën e konsensusit politik për miratimin e Kodit Elektoral dhe për zgjedhjen e organeve që do të administrojnë zgjedhjet. Kryetarja e Kuvendit ka ftuar anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të monitoruar nga afër këtë proces zgjedhor dhe ka shprehur vullnetin e plotë se prioritet mbi të gjitha prioritetet mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Më tej, kryetarja e Kuvendit ka bërë një paraqitje të të gjithë procesit parlamentar, të diskutimit dhe miratimit të ligjit të lustracionit. Ajo ka theksuar se ky ligj, pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, është një variant edhe më i butë se në vendet anëtare të BE-së. “Ky është një ligj i domosdoshëm për t’u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja”, - ka theksuar Topalli. Kryetarja e Kuvendit ka garantuar raporterët se zbatimi i ligjit do të jetë transparent dhe në përmbushje të standardeve dhe ka ftuar Këshillin e Europës të monitorojë zbatimin e këtij ligji.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›