Nano, asnjë reagim ndaj Partisë së Re të Petro Koçit
Ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano është shfaqur indiferent ndaj krijimit të partisë më të re të së majtës, e cila drejtohet nga ish-mbështetësit e tij më të zjarrtë gjatë kohës që drejtonte selinë rozë. Ndërsa prej katër ditësh, drejtuesi i Lëvizjes për Politikë Institucionale në PS, Petro Koçi ka shpallur zyrtarisht krijimin e kësaj partie, nga ana e Nanos nuk ka patur asnjë sinjal rreth këtij hapi të rëndësishëm politik.
Ish-lideri socialist nuk ka reaguar aspak ndaj iniciativës së mbështetësve të tij për vite me rradhë në Partinë Socialiste. Burime të besueshme bëjnë të ditur, se Nano nuk ka patur asnjëlloj qëndrimi, as mbështetës dhe as kritikues ndaj partisë më të re të krijuar, si rezultat i mospajtueshmërisë me politikën e lidershipit aktual të Partisë Socialiste. Nano duket se e ka kaluar me indiferencë këtë fakt, dhe për më tepër nuk i është përgjigjur ende ftesës së bërë nga kryetari aktual i kësaj partie, Petro Koçi, i cili tha se në këtë parti Nano është gjithmonë i mirëpritur. Ish-lideri i socialistëve vazhdon të endet në qetësi dhe në heshtje, duke mos dhënë aspak shenja për një rikthim të tij të mundshëm në jetën aktive të së majtës dhe gjithë politikës në Shqipëri. Nga ana tjetër, Lëvizja për Politikë Institucionale ka hedhur hapat e para të organizimit të saj. Përveç kryetarit të saj, Petro Koçi, në LPI janë bashkuar shumë prej figurave kryesore të PS-së që njiheshin më parë si mbështetës të Fatos Nanos. Ndër ta renditen emrat e Gjergji Kojës, Mark Nikollit, Majlinda Ketës, Ramadan Hasanit, Makbule Çecos, Luan Memushit etj. Ndërkohë në ditët në vazhdim, pritet që të zyrtarizojnë bashkimin me këtë parti, edhe tre deputetë të tjerë aktualë të Partisë Socialiste si dhe mjaft figura të spikatura të saj gjatë këtyre viteve.
8 Shtator 2008