E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta akuza Ramës: U bë vegël e Berishës për të shkatërruar të majtën



Shaban Sulçe

Asnjë shenjë paqe midis Ilir Metës dhe Edi Ramës. Kompromisi midis dy kryetarëve të partive kryesore të së majtës, duket tepër larg dhe i paarritshëm. Për kreun e LSI-së, pakti i Ramës me Berishën për të ndryshuar Kushtetutën vazhdon të cilësohet një mëkat i pafalshëm. Por si të mos mjaftonte kjo, Meta ka shpeshtuar dje akuzat ndaj Ramës. Ai ka thënë se Rama ka dëmtuar rëndë të majtën, duke bashkëpunuar me Berishën, ndërkohë që e akuzoi atë se ka kryer një akt të pamoralshëm duke zhbërë dhe shkatërruar Partinë Socialiste. “Për interesat e veta, lidershipi i Partisë Socialiste, për fat të keq preferoi të bëhej partner me Berishën, për të përfituar padrejtësisht nga sistemi zgjedhor, duke shitur principet dhe moralin, por njëkohësisht edhe duke prishur marrëveshjen e 5 partive opozitare, të nënshkruar në pranverën e vitit 2006, e cila si çështje të parë kishte pikërisht bashkëpunimin e opozitës për Reformën Zgjedhore”, tha Meta gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së me rastin e 4-vjetorit të themelimit të kësaj force politike.

Alibia
Kryetari i LSI-së denoncoi gjithashtu edhe deklarimet e bëra nga Rama dhe drejtues të tjerë të PS-së, sipas të cilëve e majta rrezikon të humbasë zgjedhjet, për shkak se LSI nuk dëshiron të bëjë pjesë në koalicionin e përbërë të PS-së. Meta e cilësoi të pafytyrë këtë justifikim të selisë rozë. Ai deklaroi se LSI-ja nuk mund të bëhet palë, me ata që shitën principet e së majtës. Meta theksoi se koalicioni “E majta për Integrim” që do të udhëhiqet nga LSI në zgjedhjet e ardhshme do të largojë Berishën nga pushteti dhe do të ndëshkojë Ramën për shpërdorimin që i bëri interesave të së majtës. “Me një pafytyrësi bajate dhe në mënyrë qesharake, kryetari i Partisë Socialiste, duke u përpjekur të fshihet pas fustanit të Mimit, përdor të njëjtën retorikë armiqësore ndaj LSI-së, si në 2005-ën, vetëm e vetëm se LSI ka deklaruar se, përderisa një forcë politike, si PS prish marrëveshjen, prish koalicionin, LSI do të konkurojë jo vetëm përballë Sali Berishës, në radhë të parë, por edhe kujtdo tjetër përmes një Koalicioni të ri, sikurse është “E majta për Integrim”. Meta theksoi se Rama ka gisht në humbjen e zgjedhjeve të së majtës në vitin 2005. “Por, nëse LSI- i themi sot zotit Rama-, u soll në mënyrë të hapur edhe të ndershme, dhe luftoi për të marrë votat e saj, ti u solle në mënyrë më të pandershme me Partinë Socialiste, sepse jo vetëm tinëzisht nxite shumë grupime, gjoja të pavarura, por që po dalin që janë të varura kokë e këmbë nga Bashkia e Tiranës sot, kundër qeverisë Nano, jo për të luftuar korrupsionin e asaj qeverie, por thjesht për të sjellë humbjen e asaj partie, largimin e atij kryetari dhe për të kapur më pas Partinë Socialiste, ashtu sikurse ndodhi”, vijoi Meta.
Ndasitë
Kreu i LSI-së theksoi se nuk mund të bashkunohet me Ramën, pasi ai ndryshoi Kushtetutën, dhe sistemin zgjedhor, vetëm e vetëm për të vënë në jetë paktin e tij me Berishën, duke mos pyetur për LSI-në, por edhe për të gjithë interesat e të majtës në Shqipëri. “Edi Rama, jo vetëm pa miratimin tonë, por duke pasur kundërshtimin tonë dhe të gjithë partive të opozitës, shkatërron Kushtetutën për dy orë bashkë me Sali Berishën, shkatërron veprën më të rëndësishme të një shteti demokratik, themelet ku një shtet mbahet dhe i hedh në koshin e plehrave, vullnetin e një milionë shqiptarëve, sakrificat e tyre të panumërta dhe deri në gjakun që është derdhur për të mos lejuar Sali Berishën, që nga referendumi i ’94-ës e deri në 21 Prill, që të merrte ato pushtete, që ai po gëzon sot. Atëherë nuk mund të ndajmë sot objektiv të përbashkët me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Nëse lidershipi i PS-së e përzgjedh sistemin zgjedhor vetëm për një qëllim, për të dëmtuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, nuk mund të ndajmë as objektiva të përbashkëta dhe as të njëjtin moral, me Edi Ramën”, tha Meta.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›