Rama krijon Bordin e “Dialogut me Shoqërinë” në Fier
Partia Socialiste ka krijuar në qytetin e Fierit, Bordin e “Dialogut me Shoqërinë”. Kjo iniciativë qytetare, çelur para disa muajsh nga individë të paangazhuar në PSSH, është një risi për shoqërinë, por edhe organizatat socialiste, për të bërë të mundur përfshirjen e sa më shumë kontributeve në vendimmarrje. I pranishëm në takimin e zhvilluar në qytetin e Fierit, ka qenë edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili tha se krijimi i Bordit “Dialog me Shoqërinë” është një ngjarje e veçantë, sepse do të jetë një forum ku qytetarët do të kontribuojnë për të promovuar alternativën e Partisë Socialiste. “Ky është një forum ku shpresoj dhe besoj që këto radhë do të vijnë duke shtuar me qytetare e qytetarë që dëshirojnë të kontribuojnë për të promovuar alternativën tonë, për të promovuar programin dhe projektet tona, idetë tona, sigurisht duke sjellë idetë e tyre. Bordi i Dialogut me Shoqërinë, është një urë mes partisë dhe shoqërisë, mes partisë, e cila është një organizatë me strukturë dhe rregulla të caktuar dhe shoqërisë, e cila ka në gjirin e vet plot mbështetës e simpatizantë, por që shpesh herë gjendet në një hendek mes tyre dhe partisë. Është detyra e partisë të bëhet pasqyrë e shoqërisë dhe në këtë sens ne kemi nevojë të jashtëzakonshme për të gjithë kontributet e njerëzve. Na takon ne t’i gjejmë rrugët për t’i marrë këto kontribute, duke ruajtur lirinë, pavarësinë e çdo individi që dëshiron të kontribuojë në një mënyrë të caktuar, por nuk dëshiron të rreshtohet për një kohë më të gjatë se sa ai moment. Për ne është shumë e rëndësishme që të përçojmë jo vetëm me fjalë, me nisma dhe veprime konkrete, se partia është instrument në duart e të gjithëve, jo vetëm anëtarëve, se partia është një mundësi që i jepet çdo kujt dhe jo thjesht anëtarëve, për të kontribuar për një kauzë, për realizimin e një synimi, e një programi, e një ambicie të përbashkët”, -u shpreh kryetari i PS-së Edi Rama.
8 Shtator 2008