Grupi i deputetëve të PS: Nismë ligjore për dëmshpërblimin e fermerëve
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të paraqesë shumë shpejt në Kuvend një nismë ligjore, për dëmshpërblimin e fermerëve shqiptarë, pas skandalit të farërave të misrit. Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i PS-së Taulant Balla, i cili tha gjithashtu se PS-ja do të administrojë të gjitha raportimet nga fermerët që janë dëmtuar ekonomikisht si rezultat i këtij skandali. Balla dënoi gjithashtu edhe indiferencën qeveritare, për të përballuar situatën e shkaktuar. “Është e patolerueshme që përballë kësaj situate katastrofike deri sot asnjë institucion qeveritar nuk ka marrë qoftë edhe një masë të vetme për evidentimin e dëmit të shkaktuar. Edhe pse kjo situatë është shkaktuar nga mungesa e veprimit dhe kontrollit të institucioneve shtetërore, shkaktuar për shkak të korrupsionit aktiv të individëve me pushtet politik, që nga pronari i kompanisë, tek ministri e deri tek kryeministri. Mbi bazën e të dhënave të mbledhura nga deklarimet e vetë fshatarëve, specialistët tanë, do të përllogarisin dëmin e shkaktuar në total si dhe dëmshpërblimin që i takon çdo familjeje. Dua të siguroj, se Grupi parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha iniciativat ligjore që do të garantojnë dëmshpërblimin e të gjitha familjeve fshatare të dëmtuara”, tha Balla.
8 Shtator 2008