E Diel, 1 Nëntor 2026

Madhi: “Qeveria po ndan tokat e pronarëve të ligjshëm me 7501”



Eljona Ballhysa
Megjithëse kanë kaluar 17-vjet nga miratimi i ligjit 7501 për tokën bujqësore, ky ligj vazhdon ende të funksionojë, në kurriz të pronarëve të ligjshëm. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arian Madhi, ka bërë të ditur dje për gazetën “Albania” se qeveria vazhdon ende të ndajë toka me ligjin 7501, të cilat janë toka që u përkasin pronarëve të ligjshëm. Megjithë kërkesën e republikanëve për ta abroguar këtë ligj, demokratët janë të vendosur të mos e pranojnë një kërkesë të tillë. Në një kohë kur ka mungesa në toka fizike për të kryer procesin e kthimit dhe të kompensimit të pronarëve të ligjshëm, qeveria vazhdon të abuzojë me tokat e pronarëve të vërtetë, duke e ndarë këtë tokë në bazë të numrit të familjarëve. Por në programin e punës së Kuvendit të Shqipërisë ndodhet i regjistruar amendimi i ligjit për tokën, i propozuar nga Arian Madhi, gati një vit më parë. Deputeti republikan bën të ditur se kërkesa e tij për të abroguar ligjin 7051 për tokën nuk ka për t’u miratuar nga Kuvendi. Kjo, sipas Madhit, vjen për shkak se qeverisë i intereson të mbajë në fuqi këtë ligj, pasi vazhdon ende të ndajë tokat e pronarëve të ligjshëm me ligjin 7501 për tokën.
Denoncimi
“Megjithëse ka 17 vjet që është zbatuar ligjin7501 për tokën, Partia Demokratike nuk e miraton abrogimin e këtij ligji, pasi ka ende individë që po përfitojnë prej tij. Ndodhen disa zona të cilat kanë pasur konflikte dhe banorët nuk kanë përfituar nga ndarja e tokës bujqësore me ligjin 7501. Ndaj qeverisë i intereson ta mbajë ende në fuqi këtë ligj për të ndarë tokën në bazë të numrit të familjarëve. Nuk përjashtohet mundësia që shteti vazhdon të japë toka bujqësore që i përkasin pronarëve të ligjshëm”,- ka bërë të ditur deputeti republikan Madhi. Megjithëse ka pothuajse një vit që Madhi ka depozituar pranë Kryesisë së Kuvendit amendamentin për tokën, ky draft nuk ka kaluar ende në seanca parlamentare. Madhi shpjegon se është i bindur që drafti nuk ka për t’u miratuar, por është vënë në axhendën e punimeve të Kuvendit vetëm për të respektuar procedurat parlamentare. “Ai projektligj është arkivuar një vit më parë në Kuvend. Është shqyrtuar në komisione por nuk është votuar në seancë. Ka qenë një nismë për pushimin e veprimit të ligjit 7501 për tokën. Por për të përmbyllur procedurat parlamentare do të kalojë në seancë. Unë jam i bindur se ky draft do të rrëzohet”, - është shprehur Madhi.
Përplasjet
Ndarja e tokave bujqësore me ligjin 7501 ndodh në një periudhë kur qeveria ka marrë përsipër të kompensojë pronarët e ligjshëm. Duket se zbatimi i këtyre dy ligjeve në të njëjtën kohë, pra ligjit 7501 dhe ligjit për kthimin e kompensimin e pronarëve të ligjshëm, bie në kundërshtim me njëri-tjetrin. Nga njëra anë qeveri ndan toka në bazë të numrit të anëtarëve të familjeve, toka të cilat u përkasin pronarëve të ligjshëm dhe nga ana tjetër kërkon të realizojë kompensimin e këtyre pronarëve të ligjshëm. Megjithëse qeveria ka deklaruar shpeshherë se do të realizojë fondin e tokës së lirë, deri tani janë të paktë pronarët e ligjshëm që janë kompensuar fizikisht. Nga ana tjetër kryeministri Berisha vetëm pak kohë më parë ka theksuar qëndrimin e tij kundër abrogimit të ligjit 7501 për tokën.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›