Drafti për të përndjekurit, kthehet në Kuvend
Kuvendi ka parashikuar miratimin e projektligjit në seancën e 12 marsit. Ministria e Financave është shprehur kundër.
Shumica e djathtë ka ndryshuar mendje dhe ka vendosur që të rikthejë edhe një herë në Kuvend nismën ligjore për të ndryshuar ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, i cili konstaton në zgjedhorimin e subjekteve që përfitojnë edhe familjarët e atyre të dënuarve që, për shkak të vuajtjes së dënimit, nuk kanë lënë trashëgimtarë.
Pavarësisht kundërshtimit të Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë për të mos e miratuar këtë nismë, shumica qeverisëse ka vendosur dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që të parashikojë në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, diskutimin dhe miratimin e projektligjit në komisionet respektive parlamentare dhe në seancën plenare.
Kështu, në kalendar është parashikuar që, në seancën e 12 marsit, të miratojë midis të tjerave dhe projektligjin "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve nga regjimi komunist".
Një vendim i tillë bie ndesh, kryesisht, me qëndrimin e Ministrisë së Financave, shprehur ditë më parë gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku drejtoresha e buxhetit në këtë institucion, Mimoza Dhembi, u shpreh kategorish kundra një nisme të tillë, pasi zgjerimi i rrjetit të përfituesve nga rrethi i parë i familjarëve në rrethin e tretë, do të sillte dhe një kosto suplementare të ligjit.
Vetëm për pjesën e evidentuar deri më tani, ka theksuar Dhembi, parashikohet një mesatare dëmshpërblimi prej rreth 5 deri në 6 milionë lekë, në një kohë që numri i aplikantëve ka mbërritur në 16579.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Ministria e Financave, ka qenë edhe fakti se miratimi i këtij ndryshimi do të bënte që të dështonte procesi i deritanishëm i aplikimeve, për ta rinisur atë nga e para.
Kjo, sipas Dhëmbit, do të kërkonte dhe një vit tjetër kohë. Ndërkohë që, një shtyrje e tillë, sipas saj, do të rrezikonte dhe djegien e fondit prej 2 miliardë lekësh që qeveria ka vënë në dispozicion për këtë çështje në buxhetin e 2009-ës.