E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BB-së, Berisha "rrëfehet" para deputetëve

Kryeministri flet para deputetëve për debatin e fundit me Bankën Botërore. Deputetët heshtin


TIRANË- Kryeministri i vendit, Sali Berisha, është "rrëfyer" dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, lidhur me debatin e fundit të qeverisë me Bankën Botërore për projektin e Jalës.


Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, ka qenë sërish Berisha që ka folur, duke u ndalur tek raporti i Bankës Botërore. Sipas deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri i vendit i ka mëshuar sërish qëndrimit se ky është një problem i brendshëm i Bankës Botërore, që nuk ka lidhje me punën e qeverisë shqiptare.


Ashtu si edhe në qëndrimet publike, kreu i ekzekutivit i ka konsideruar pretendimet e raportit të bërë nga Paneli i Inspektimit, të manipuluara dhe të ndikuara nga qarqe të caktuara në Shqipëri. Madje, Berisha është shprehur se do t'i shkohet deri në fund kësaj çështjeje.


Kryeministri ka informuar deputetët e PD-së, se qeveria shqiptare u ka dërguar një letër zyrtarëve më të lartë të Bankës Botërore, në të cilën, ky raport konsiderohet i njëanshëm dhe i pambështetur në faktet e mbledhura në terren. Por, pavarësisht shfajësimit të dukshëm që kreu i ekzekutivit ka bërë para deputetëve, duke përjashtuar nga çdo përgjegjësi qeverinë shqiptare, faktet flasin krejt ndryshe.


Banka Botërore, vetëm pak ditë më parë, paraqiti versionin e saj zyrtar rreth projektit të bregdetit dhe prishjeve të banesave në Jalë. Menaxherja për Shqipërinë e Bankës Botërore, Camille Nuamah, tha pak kohë më parë përmes një konference për shtyp se, prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga Banka Botërore.


Ndërsa, një nga gabimet e pranuara në deklaratën e përbashkët për shtyp të Bankës Botërore dhe Panelit të Inspektimit, ishte pikërisht moskundërshtimi i kandidaturës së dhëndrit të Kryeministrit, si koordinator i projektit.


Por, përpos konflikteve të dukshme për këtë çështje, dje, gjatë mbledhjes së grupit, asnjë prej deputetëve të PD-së, edhe pse të paqartë në këtë drejtim, nuk ka "guxuar" t'i bëjë pyetje të drejtpërdrejtë Kryeministrit Berisha. Ata kanë heshtur, për të shfaqur dyshimet e tyre vetëm jashtë dyerve të grupit të PD-së, ashtu siç ndodh rëndom prej tyre.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›