E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, kundër raportit të EMA-s për procesin e letërnjoftimeve

Partia Demokratike kundërshtoi dje raportin jopolitik të lëvizjes evropiane për kartat e identitetit. Zëdhënësja e fushatës së demokratëve, njëkohësisht ministre e Integrimit dhe zëdhënëse e qeverisë, Majlinda Bregu, bëri me dije se "Lëvizja Evropiane në Shqipëri e përfaqësuar nga individë, të cilët maskën e shoqërisë civile e kanë përdorur për të fshehur militantizmin e tyre politik, ka spekuluar mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti". Sipas saj, "të pavarurit militantë të PS-së, Ditmir Bushati dhe Gledis Gjipali kanë servirur edhe një herë një lum gënjeshtrash dhe pretendimesh infantile". Zëdhënësja Bregu sqaroi se është e disata herë që kandidatë për deputetë të PS, nën petkun e shoqërisë civile, po manipulojnë të vërtetën mbi momentet më jetike të jetës politike dhe shoqërore të këtij vendi. Sipas saj, plotësimi i detyrimeve për realizimin e këtyre zgjedhjeve me standarde evropiane është prioriteti i kësaj qeverie. "Asnjë kandidat i shpallur apo i hatërmbetur socialist nuk mund të mohojë arritjet për të transformuar procesin zgjedhor nga një proces manual i qeverisjes socialiste, në një proces tërësisht transparent e demokratik", u shpreh Bregu. Sipas saj, shifrat e Ministrisë së Brendshme po bëhen publike ditë pas dite dhe ato po dëshmojnë se procesi i pajisjes me karta identiteti po ecën normalisht. Vetëm dje kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik 14900 shtetas, duke e çuar numrin total të aplikimeve në 1202584.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›